Skip to content

I penduari i drejtësisë në spital, Nuredin Dumani shfaq probleme me frymëmarrjen dhe zemrën

Nuredin Dumani i penduari i drejtësisë  është paraqitur në  urgjencën e Qendrës Spitalore Nënë Tereza gjatë së shtunës pasi ka shfaqur disa problemeve shëndetësore.

Mësohet se Dumani ka  pasur probleme me frymëmarrjen dhe zemrën dhe është shoqëruar më pas në spital me masa të larta sigurie nga forca special e burgjeve dhe Renea.

Sipas burimeve brenda spitalit,  i penduari i drejtësisë  ndodhet në shërbimin e reanimacionit nën monitorim të bluzave të bardha.

Në lidhje me shoqërimin e Dumanit në spital është njoftuar edhe Prokuroria e Posacme Antikorrupsion.

Kjo pasi Nuredin Dumani po bashkëpunon me drejtësinë për zbardhjen e një sërë veprash kriminale.

Nuredin Dumani u arrestua në mars 2022 në qytetin e Fierit gjatë një aksioni policor pak orë, pasi vetë ai kishte mbetur i plagosur në një shkëmbim me armë zjarri në aksin Elbasan-Peqin, te kryqëzimi i Cërrikut.

Ai ka rrëfyer para hetuesve ngjarjet kriminale ku është përfshirë, vrasjet që ka bërë, përplasjet me ish-shokun e tij Talo Çela (i shumëkërkuar i policisë), si dhe ngjarjet kriminale që kanë ndodhur në Elbasan e Durrës.

Ai u vu në pranga në kuadër të operacionit ‘Plumbi i Artë”. Të pandehurit e dosjes “Plumbi i Artë” akuzohen për disa vrasje, atentate të mbetur në tentativë dhe vjedhje me dhunë, të zbardhura pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani. Pjesa më e madhe e krimeve janë kryer me pagesë.

Dumani është i pari në listën e SPAK si autor i 9 vrasjeve dhe tentativave për vrasje, si dhe 3 episode të vjedhjeve me dhunë.