Ndërprerje të shërbimit hekurudhor – Treni komercial del nga shinat – Nuk raportohet për viktima
Shumë rrugë u përmbytën dhe trenat u bllokuan në verilindje të Suedisë për shkak të shirave të rrëmbyeshëm, tha të martën agjencia e transportit.
Trafiku “në rrugë dhe hekurudha po preket nga shirat e rrëmbyeshëm në Västernorrland”, tha ajo në një deklaratë, duke u bërë thirrje shoferëve të shmangin katër komuna: Kramfors, Sollefteå, Örnsköldsvik dhe Harnosand. Shërbimet hekurudhore midis dy komunave të fundit janë ndërprerë gjithashtu që nga mëngjesi.
Shërbimet e shpëtimit renditën disa incidente në faqen e tyre të internetit, përfshirë daljen nga shinat e një treni mallrash. Nuk u raportuan viktima.
“Ishte sikur rrugët po prisheshin dhe po shndërroheshin në humnera”, tha zyrtari i shërbimit Leif Wikström për radion publike SR.
“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë më parë”, tha banori vendas Ove Lindberg. “Niveli i liqenit është rritur gjysmë metri që nga nata e kaluar.”
