Dukesha e Kentit, Katharine, ka ndërruar jetë në moshën 93 vjeçe, një lajm i trishtueshëm që u dha nga Pallati i Buckingham-it.

 “Me trishtim të thellë, Pallati i Buckingham-it njofton vdekjen e Lartësisë së Saj Mbretërore, Dukeshës së Kentit. Lartësia e Saj Mbretërore ndërroi jetë në paqe mbrëmë në Pallatin Kensington, e rrethuar nga familja e saj.

Mbreti dhe Mbretëresha dhe të gjithë anëtarët e Familjes Mbretërore i bashkohen Dukës së Kentit, fëmijëve dhe nipërve të tij në zi për humbjen e tyre dhe për të kujtuar përkushtimin e përjetshëm të Dukeshës ndaj të gjitha organizatave me të cilat ajo ishte e lidhur, pasionin e saj për muzikën dhe dhembshurinë për të rinjtë”, thuhet në deklaratë.

Ajo lindi më 22 shkurt 1933 si Katharine Lucy Mary Worsley në Yorkshire, një provincë me të cilën ajo mbeti e lidhur gjatë gjithë jetës së saj.

Në vitin 1961, ajo u martua me Princin Edward, Duka i Kentit, kushëri i Mbretëreshës Elizabeth II. Çifti pati tre fëmijë së bashku – George, Konti i St. Andrews, Zonja Helen Taylor dhe Lord Nicholas Windsor, shkruan Daily Mail.

Edhe pse hyri në familjen mbretërore, dukesha shpesh ndiqte rrugën e saj. Ajo e habiti publikun kur u konvertua në katolicizëm në vitin 1992 dhe dhjetë vjet më vonë hoqi dorë nga titulli i saj dhe u tërhoq nga detyrat zyrtare mbretërore për të jetuar një jetë më të qetë.

Publiku britanik e kujton atë edhe për paraqitjet e saj në Wimbledon, ku në vitin 1993 ajo preku kombin kur ngushëlloi tenisten çeke Jana Novotna pas humbjes së saj ndaj Steffi Graf. Përveç elegancës së saj, ajo ishte edhe e ngrohtë – për vite me radhë dha mësim muzikë në mënyrë anonime në një shkollë fillore në Hull, ku njihej thjesht si “Zonja Kent”. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re