Skip to content

Çfarë ndodhi me Dumanin? 24 orë në kardiologji, rikthehet në qeli mes dyshimeve për helmim

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, u shtrua me urgjencë mbrëmjen e djeshme në repartin e reanimacionit të Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, pas problemeve të papritura shëndetësore.

Për shkak të statusit të tij të veçantë dhe rëndësisë së dëshmive që ka dhënë në çështje me profil të lartë kriminal, Dumani iu nënshtrua një sërë analizash të specializuara, me qëllim përcaktimin e gjendjes së tij të plotë shëndetësore dhe përjashtimin e çdo tentative të mundshme kriminale në adresë të tij.

Sipas burimeve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, analizat paraprake kanë treguar se nuk ka pasur përdorim të substancave narkotike apo alkoolit. Megjithatë, analizat për të zbuluar nëse është përdorur ndonjë substancë helmuese kërkojnë më shumë kohë për të dhënë rezultate përfundimtare.

Pas 24 orësh qëndrimi në reanimacion, mjekët kanë konstatuar se gjendja e tij nuk kërkon ndërhyrje të mëtejshme dhe, si rrjedhojë, Dumani është rikthyer në qelitë e paraburgimit.

Nuredin Dumani konsiderohet një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të drejtësisë në vitet e fundit, i përfshirë drejtpërdrejt në zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale dhe në ndihmën e dhënë për çmontimin e disa prej grupeve më të fuqishme kriminale në vend.

Dëshmitë e tij kanë luajtur një rol kyç në hetimet e SPAK, duke sjellë ndëshkimin e dhjetëra të përfshirëve në vepra të rënda penale.