Një grup motoçiklistësh të veshur me të zeza hynë me vrull në Sheshin e Shën Pjetrit këtë javë për t’i dhuruar Papës Leo XIV një motoçikletë të prodhuar posaçërisht për qëllime humanitare.
Pas audiencës së përgjithshme në Vatikan, Papa u takua me anëtarët e klubit të krishterë Jesus Bikers, të cilët mbërritën në Romë pas një udhëtimi tre-ditor nga qyteti gjerman Schaafheim. Papa bekoi dhe nënshkroi një BMW R 18 të bardhë.
Motoçikleta e projektuar posaçërisht do të ofrohet në një ankand në Mynih më 18 tetor, dhe fondet e mbledhura do të drejtohen për të ndihmuar fëmijët që punojnë në miniera në Madagaskar, përmes organizatës Missio Austria. Drejtori i kësaj organizate, Karl Wallner, theksoi se pelegrinazhi nuk kishte vetëm një karakter simbolik të takimit me Papën, por edhe një qëllim fisnik – për të ofruar mbështetje për më të prekshmit.
Wallner zbuloi gjithashtu se Papës me sa duket i pëlqeu shumë motoçikleta:
“Në audiencë, ai i tha drejtorit ekzekutiv të BMW se atij vetë i pëlqen të ngasë një motoçikletë. Mendoj se kemi Papën e parë motoçiklist.”
Motoçikleta me një motor bokser me dy cilindra mori një ridizajnim papnor në kompaninë gjermane Witzel, përpara se të nisej për në Romë.
Papa Françesku është bërë më parë anëtar nderi i klubit Jesus Bikers, i cili ka një anëtarësim të madh në të gjithë botën. Papa argjentinas mori një motoçikletë të bardhë nga i njëjti grup në vitin 2019, dhe në vitin 2013 atij iu dhanë dy Harley-Davidson dhe një xhaketë motoçiklete.
Një Harley me firmën e Papës, së bashku me një xhaketë lëkure të njëjtë, u shit në ankand në vitin 2014 për më shumë se 350,000 dollarë, ku paratëu përdorën për të mbështetur një organizatë humanitare në Romë, kujton Agjencia Katolike e Lajmeve. /tesheshi.com/



