Debatet për draftin e Kodit të Ri Penal, Eugen Beci: Me këtë Kod çdo qytetar që del nga dera e shtëpisë, duhet të mendojë nëse veprimi i tij është vepër penale apo jo

Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, foli sot në emisionin Log. me moderator Endri Xhafon në News24 për debatin që po bëhet lidhur me draftin e Kodit të Ri Penal.

Beci tha se grupi i punës për hartimin e Kodit të Ri duhet që të krijohej nga Ministria e Drejtësisë dhe se veprat penale duhet të ishin të qarta, të sakta dhe të kuptueshme.

Sipas ish-prokurorit, me Kodin e Ri Penal, çdo qytetar që del nga dera e shtëpisë, duhet të mendojë nëse veprimi i tij është vepër penale apo jo.

Eugen Beci: Kodet kanë një parim, duhet të shkruhen në mënyrë të saktë. A do të duhet të lexojmë dhe ta kuptojmë. Nëse nuk e kupton, i bie që ti nuk kupton se cila sjellje të çon në burg. Grupi i punës duhet që ta krijonte Ministria e Drejtësisë. Veprat duhet të ishin të qarta, të sakta dhe të kuptueshme.

Fokusi duhet të ishte te veprat penale që kanë të bëjnë me krimet kibernetike. Nuk mund të dënohet me burg një noter a avokat, sepse përcakton tarifë të paarsyeshme.

Shteti ndërhyn në treg. Me këtë Kod Penal, çdo qytetar që del nga dera e shtëpisë, duhet të mendojë nëse veprimi i tij është vepër penale apo jo. Shpërdorimi i detyrës të riformulohet dhe objekti të jetë jo vetëm shpërdorimi i fondeve publike, por të përcaktohet më qartë ku është bërë shpërdorimi.