Në teatrin ‘Migjeni’ në Shkodër vijojnë punimet për rikonstruktimin e tij. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se në qendër të punimeve janë krijimi i kushteve që rrisin komoditetin e spektatorëve dhe artistëve.

Më tej Gonxhja thekson se restaurimi dhe modernizimi i Teatrit “Migjeni” është një hap i rëndësishëm jo vetëm për trashëgiminë kulturore, por edhe për zhvillimin turistik, ekonomik dhe edukativ të qytetit.

“Mirëmëngjes nga Teatri “Migjeni”, në Shkodër, me vijimësinë e punimeve ku falë investimit të financuar nga MEKI, po realizohet instalimi i sistemeve moderne të kondicionimit, ndërsa shumë shpejt do të rishikojmë impiantet elektroteknike të skenës e rrjetit, ndriçimit dhe sigurisë, si dhe mobilimin e teatrit me ndenjëse të reja. Po krijojmë kushte optimale për frekuentimin e teatrit;

Po rrisim komoditetin e spektatorëve dhe artistëve; Po përgatisim terrenin për zhvillimin e më shumë ngjarjeve kulturore, me një rritje të pritshme prej 30% çdo vit. Shkodra, “Djepi i Kulturës”, ka qenë gjithmonë në pararojë të zhvillimeve kulturore kombëtare, duke ruajtur dhe promovuar identitetin e saj historik e artistik. Restaurimi dhe modernizimi i Teatrit “Migjeni” është një hap i rëndësishëm jo vetëm për trashëgiminë kulturore, por edhe për zhvillimin turistik, ekonomik dhe edukativ të qytetit”, shkruan Gonxhja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re