Gazetarja dhe autorja e njohur, Kozeta Kurti, ka reaguar ashpër ndaj situatës së pazakontë në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), ku, sipas saj, prej më shumë se pesë muajsh nuk janë shlyer pagesat për projektet e realizuara. Kurti thotë se nga 14 projekte të dorëzuara, 12 prej tyre mbeten ende të papaguara.
Në një reagim të gjatë, ajo thekson se problemi nuk qëndron vetëm te vonesat financiare, por edhe te mungesa e respektit dhe transparencës nga drejtuesit e institucionit, veçanërisht nga drejtoresha e përgjithshme, Eni Vasili.
“RTSH-ja ime nuk është ajo e Eni Vasilit,” shkruan Kurti, duke nënvizuar se ndryshe nga drejtuesit e mëparshëm, të cilët të paktën kanë treguar respekt profesional dhe njerëzor, Vasili nuk është takuar asnjëherë me autorët e emisioneve, qoftë edhe për të kërkuar ndjesë apo për të dhënë një shpjegim minimal për pagesat e mbetura pezull.
Në vijim, ajo rrëfen përpjekjet e saj për të marrë përgjigje nga institucionet brenda RTSH-së:
“Nuk lashë zyrë pa trokitur – nga juridikja, te financa, deri te drejtuesit e programeve – por më kot. Kam dërguar edhe një email të gjatë, ku nuk kërkova lekët për vete, por një kontakt për të deleguar bashkëpunëtorët, sepse nuk po i përballoja më presionin e tyre. Përgjigjja? Asgjë.”
Kurti shpjegon se ka mbuluar vetë me shpenzimet e saj dhjetëra orë transmetimi në RTSH, mes tyre cikle muzikore me emra të mëdhenj të artit shqiptar, recitale dhe evente kulturore madhore, të transmetuara pa marrë asnjë shpërblim financiar.
“Kam investuar para dhe kontakte personale që programet të mos dështojnë, sepse për mua RTSH nuk është drejtori i radhës. Por ky institucion nuk është kthyer as me një ‘faleminderit’, e jo më me kontratat e munguara,” shkruan ajo.
Me ironi, gazetarja i drejtohet edhe Baton Haxhiut, këshilltar i drejtoreshës Vasili:
“Në vend që ta mbyllë RTSH-në për 6 muaj, të paktën t’i kërkojë shoqes së tij të paguajë ata që kanë punuar.”
Në përmbyllje, Kurti nënvizon se çdo artist dhe profesionist që ka kontribuar për RTSH meriton respekt dhe pagesë të drejtë, duke shtuar se nuk do të kishte bërë këtë reagim publik po të kishte pasur qoftë edhe minimumin e ndershmërisë dhe komunikimit nga drejtuesit aktualë.
