Skip to content

Një grua si zgjidhje, aty ku qeveritarët u poshtëruan publikisht

Susila Karki, një ish-kryetare e Gjykatës Supreme dhe aktiviste e vendosur kundër korrupsionit, u shpall si kryeministre e përkohshme e Nepalit, vendit himalajan që u zhyt në katastrofë këtë javë pas rënies së qeverisë.

Ndërkohë, presidenti i Nepalit Ramchandra Pandey shpërndau Parlamentin dhe thirri zgjedhje parlamentare më 5 mars 2026, me propozim të kryeministrit të ri.

Karki, emërimi i të cilit u njoftua nga Sunil Bahadur Thapa, një këshilltar i presidentit, ishte zgjedhja e studentëve protestues, mobilizimet masive të të cilëve të hënën e kaluar shkaktuan një seri ngjarjesh “shpërthyese”. Demonstratat kundër korrupsionit qeveritar dhe ndalimit të mediave sociale rezultuan në viktima kur forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj studentëve të “Gjeneratës Z”.

Kryeministri dha dorëheqjen, duke marrë përgjegjësinë për vdekjet, dhe ndalimi i mediave sociale u hoq. Megjithatë, të martën, turma të zemëruara sulmuan vendin, duke djegur dhe plaçkitur mijëra ndërtesa. Pothuajse çdo zyrë e madhe qeveritare u dëmtua. Më shumë se 50 persona u vranë në kaos, sipas policisë nepaleze. “Të paktën 51 persona u vranë dhe më shumë se 1,300 u plagosën në incidentet e dhunshme që ndodhën të hënën dhe të martën, më 8 dhe 9 shtator”, tha ajo.

Karki i tha një kanali indian lajmesh këtë javë se e pranoi pozicionin sepse “këta djem dhe vajza të rinj më lutën, më kërkuan”. Ajo njihet për luftën e saj kundër elementëve të korruptuar.

Shumë nepalezë, veçanërisht ata në lëvizjen e Gjeneratës Z, janë të zemëruar për korrupsionin dhe po ngrihen kundër një “elite” të vogël që po grumbullon pasuri të madhe.

Me perspektiva të kufizuara karriere në vend, të rinjtë e arsimuar të Nepalit janë larguar nga vendi – një “ikje truri” që ka përkeqësuar ekonominë e vendit. Çdo ditë, disa mijëra punëtorë nepalezë largohen nga atdheu i tyre për punë fizike jashtë vendit.

Kjo bëri që gjatë trazirave, disa qeveritarë të poshtëroheshin edhe publikisht, duke u zhveshur e rrahur nga turmat.

Pamjet u bënë virale dhe mes shqiptarësh në rrjete sociale u shpërndanë furishëm nën dëshirën që kjo të ndodhte dhe në Shqipëri. /tesheshi.com/