Humbi dy vajza në një aksident tragjik si shkak i një të dehuri në timon.

Mbrëmë në TCH, Riza Dhimaku nga Kopaçëza e Delvinës, një çoban që kishte rritur e po arsimonte dy vajza, mes shumë sakrificave ekonomike, duke patur dhe një djalë të sëmurë me leuçemi, dha një mesazh nga emisioni i parë i ciklit të ri “Shqiptarët për shqiptarët”.

Me lot në sy, i shkatërruar nga humbja e dy vajzave, që iu shuan në lule të moshës, Elvisa dhe Rozina, Rizai apeloi për kujdes në drejtimin e mjetit, për të parandaluar tragjedi se kjo e familjes së tij.

“Të gjithë jemi me makina, të gjithë jemi shoferë. Pas atij aksidenti, kanë ndodhur aksidente të tjera në zonën tonë. Ju lutem ikni me mend në kokë, nuk ju ka borxh askush. Çdo gjë vjen nga shpejtësia dhe alkooli. Nuk ka gjë që mund ta falë, e gjykon Zoti. Unë mund ta fal, por nuk fal zemra, nuk fal shpirti… Sot më ndodhi mua, nesër mund t’i ndodhë një tjetri. Mos dëgjofshim më, mos ndodhshim më ngjarje të tilla”, theksoi Riza Dhimaku.

Ai rrëfeu dhe momentin e marrjes së lajmit të zi të humbjes së dy vajzave: “Kur u ndava për herë të fundit nga vajzat e mia, më kërkuan një darkë, vetëm një mbrëmje me mua. Më folën me një zë që më dridhet ende në shpirt: ‘Dalim babi, të lutem, se ndoshta nuk shihemi më’. E dinin që do shkoja në stan, në mal, ku rrija më shumë se një muaj. Ndoshta e ndjenin diçka, një parandjenjë që unë e injorova.

 Nuk pranova. Jo se nuk i doja por se nuk munda ta harxhoja lekët e vajzave të nxjerra me aq sakrifica. Ishim në luftë me leuçeminë e djalit të vogël, Islit. Dhe mendova se ishte më mirë të kurseja. Silueta e tyre më është ngulitur në mendje e shpirt. Qëndronin te dera, të heshtura me kokën ulur. I përshëndeta me dorë dhe humba pas kthesës së rrugës. Ngjita malin në këmbë, drejt stanit, tre orë ecje mes ferrave, shkurreve në terrenin e thepisur. Ishte ora 20:30 kur më ra telefoni. Një zë i trazuar më tha: ‘Ka ndodhur një aksident, por nuk jemi të sigurt; mund të jenë vajzat e tua’. M’u ngri zemra. Elvisa dhe Rozina, a janë mirë? A janë gjallë?

Vrapova nëpër natë, në terr, nëpër gurë e humnera për të mësuar të vërtetën. Nuk më mbante më toka, më mbante vetëm dhimbja. Në gjysmën e rrugës, një therje më çau kraharorin, si një parandjenjë tragjedie. Pas vetëm dy minutash, një tjetër telefonatë. E hapa me duart që më dridheshin e atë zë s’do e harroj kurrë: ‘Riza, bëhu i fortë, vajzat na lanë’. Në atë natë të zezë, mes askundit, humba gjithçka. U ula aty, nuk doja të ngrihesha më. Zbritjen nga mali që zgjat tre orë, e bëra për një orë e gjysmë i shkatërruar, por i gjallë për të parë vdekjen me sytë e mi”.

Tashmë ai ka vetëm të birin e mitur, me problem të rëndë shëndetësor, gjithsesi si një ngushëllim se jeta vazhdon, me shpresën se pikërisht ai, i biri, nëse do Zoti të shërohet, do jetë jetëdhënësi i familjes Dhimaku me dy jetë të shuara tragjikisht. /tesheshi.com/  

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re