Në një moment tronditës në Fox News mëngjesin e 10 shtatorit, prezantuesi i Fox & Friends, Brian Kilmeade, thuhet se mbështeti vrasjen e njerëzve të pastrehë me sëmundje mendore gjatë një debati.
Ai gjithashtu sugjeroi se kjo mund të bëhet nëpërmjet “injeksionit vdekjeprurës të pavullnetshëm”.
Deklaratat u bënë gjatë një segmenti mbi vrasjen e fundit tronditëse në SHBA, atë të refugjates ukrainase Iryna Zarutska në një tramvaj, nga një burrë i pastrehë me skizofreni dhe një dosje kriminale.
Bashkëprezantuesi Lawrence Jones tha se ndërsa ka keqardhje për krizën e shëndetit mendor, “nuk duhet të jetojmë me frikë” derisa autoritetet të vendosin se çfarë të bëjnë.
“Shumë prej tyre nuk duan t’i pranojnë programet, shumë nuk duan të marrin ndihmën që u nevojitet. Nuk mund t’u japësh atyre një zgjedhje. Ose pranojini burimet që do t’ju japim ose vendosni të mbylleni në burg. Kështu duhet të jetë tani”, shtoi ai.
Kilmeade ndërhyri: “Ose injeksion vdekjeprurës i pavullnetshëm… ose diçka e tillë. Thjesht vritini.”
Kilmeade tha më pas se njerëzit në qytete me popullsi të lartë të pastrehë po votojnë për zyrtarët e gabuar të zgjedhur dhe i nxiti njerëzit në Karolinën e Veriut të “zgjohen”.
“Los Angeles u zgjua, ata morën një prokuror më të fortë, u zgjuan dhe hoqën qafe Chesa Boudin në San Francisko. Shpresojmë që do të heqin qafe këtë djalë të tmerrshëm, Alvin Bragg, në Nju Jork.”
Ai i nxiti banorët e Karolinës së Veriut të votojnë për republikanin Michael Whatley në zgjedhjet e Senatit të vitit 2026 në atë shtet, duke fajësuar Guvernatorin demokrat Roy Cooper për “këto ligje të tmerrshme”. /tesheshi.com/
