Nëse fiton zgjedhjet e vjeshtës, kandidati për kryetar bashkie i New York-ut, Zohran Mamdani, do t’i urdhëronte policisë të arrestonte kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu nëse ai udhëton ndonjëherë atje, tha ai në një intervistë të kohëve të fundit.
Mamdani, një kandidat demokrat në zgjedhjet e 4 nëntorit, akuzoi Netanyahun në një intervistë me New York Times të enjten se është një kriminel lufte që po kryen gjenocid me fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza, sipas një raporti të publikuar të premten.
Ai tha se do të zbatonte një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) në nëntor 2024 kundër Netanyahu-t për krime lufte në Gaza, duke e ndaluar udhëheqësin izraelit në aeroport nëse ai ndonjëherë shkel në New York ndërsa ai është kryetar bashkie.
“Kjo është diçka që kam ndërmend ta përmbush,” tha Mamdani, duke përsëritur një premtim që bëri më parë gjatë fushatës së tij për kryetar bashkie, sipas Times. “Dëshira ime është që ky të jetë një qytet që përfaqëson të drejtën ndërkombëtare.”
Në New York, komisioneri i policisë shërben me vullnetin e kryetarit të bashkisë. Por Times citoi ekspertë ligjorë të cilët thanë se plani i Mamdanit për të arrestuar Netanyahu-n do të ishte “praktikisht i pamundur” dhe mund ta vinte atë në konflikt të drejtpërdrejtë me qeverinë federale.
Shtetet e Bashkuara nuk e njohin autoritetin e GJPN-së dhe nuk janë anëtare të organit, i cili ka selinë në Hagë, Holandë. Në shkurt, Donald Trump vendosi sanksione ekonomike kundër GJPN-së, duke argumentuar se gjykata nuk ka juridiksion mbi Shtetet e Bashkuara ose Izraelin.
Netanyahu, nga ana e tij, tha në një takim me Trump-in në korrik se “nuk ishte i shqetësuar” për dëshirën e Mamdanit për ta arrestuar atë. Ai sugjeroi që do të udhëtonte me Trump-in dhe se “do ta shohim” nëse ai do të arrestohej.
Sipas Times, Trump shtoi më pas se Mamdani “më mirë të jetë i kujdesshëm – përndryshe do të jetë në telashe të mëdha”.
Një sondazh i publikuar të mërkurën tregoi se Mamdani, një përfaqësues shtetëror demokrat-socialist, kryesonte ndaj ish-guvernatorit të New York-ut, Andrew Cuomo, me një diferencë marramendëse prej 15 pikësh përqindjeje më pak se dy muaj para zgjedhjeve për të udhëhequr një nga qytetet më të famshme në botë. /tesheshi.com/
