Skip to content

Kush është Tyler Robinson, i dyshuari për vrasjen e Kirk?

Burri i akuzuar për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk është identifikuar si Tyler Robinson, vendas i Utah, i cili, sipas autoriteteve, kishte jetuar me prindërit e tij për një “kohë të gjatë”.

Robinson, 22 vjeç, u arrestua më 12 shtator pasi një anëtar i familjes e njohu atë në pamjet e kamerave të mbikëqyrjes, të cilat hetuesit e përshkruan si një moment kyç në përfundimin e kërkimit mbarëkombëtar. Ky informacion iu dha mediave nga vetë presidenti Trump.

Anëtari i familjes thuhet se ishte babai i Robinson, i cili e inkurajoi atë të dorëzohej, raportoi CBS Neës. Babai më pas kontaktoi një mik të familjes, i cili njoftoi zyrën e sherifit.

Në një konferencë për shtyp të premten ku u njoftua arrestimi, zyrtarët e FBI-së refuzuan të diskutonin mbi të kaluarën, pikëpamjet politike ose motivin e mundshëm të Robinson, duke thënë se hetimi ishte ende në vazhdim.

“Jemi të bindur se kemi personin e duhur në paraburgim,” tha një zëdhënës i FBI-së, “por ende po punojmë për të krijuar pamjen e plotë se kush është ai dhe pse veproi në atë mënyrë.”

Guvernatori i Utah-s, Spencer Cox, tha se një anëtar i familjes u tha hetuesve se Robinson ishte bërë “më i prirur politikisht” vitet e fundit.

I afërmi shtoi se gjatë darkës para të shtënave, Robinson kishte folur për ngjarjen e ardhshme të Kirk në Universitetin Utah Valley, sipas Cox.

“Ata folën pse nuk e pëlqenin dhe cilat ishin pikëpamjet e tij,” tha Cox, duke iu referuar bisedës.

Të dhënat publike të shqyrtuara nga BBC tregojnë se Robinson ishte regjistruar më parë si votues i pavarur, ose jo-partiak, në Utah. Prindërit e tij, Matthew Carl Robinson dhe Amber Denise Robinson, janë republikanë të regjistruar, sipas të dhënave shtetërore.

Robinson nuk ishte regjistruar në UVU, ku ndodhën të shtënat.

Një deklaratë nga Bordi i Arsimit të Lartë i Utah tha se Tyler James Robinson ishte një student i vitit të tretë në programin e praktikës së inxhinierisë elektrike në Kolegjin Teknik Dixie.

“Ai më parë kaloi një semestër në Universitetin Shtetëror të Utah në vitin 2021 dhe ndoqi mësime jashtëshkollore përmes Universitetit Teknik të Utah ndërsa ishte në shkollë të mesme midis viteve 2019 dhe 2021,” shtoi deklarata.

Postimet në mediat sociale tregojnë se babai i Robinson drejton një biznes instalimi të banakëve dhe dollapëve të kuzhinës, ndërsa nëna e tij është punonjëse sociale. Familja është mormone dhe aktive në një kishë lokale.

Hetuesit thonë se Robinson ishte i fiksuar pas kulturës online, ku është dalluar një simpati për lëvizjen Antifa, një grup i lirshëm aktivistësh të ekstremit të majtë që ka qenë aktiv në SHBA gjatë dekadës së fundit dhe shpesh proteston kundër politikave të Trump-it dhe grupeve të ekstremit të djathtë, sipas BBC.

Preferencë e tij duket se ka qenë dhe hiti “Bella Ciao”, një këngë homazh i lëvizjes italiane të rezistencës në Luftën e Dytë Botërore që luftoi kundër Gjermanisë naziste.

Për momentin, Robinson mbetet në paraburgim ndërsa prokurorët përgatisin akuzat zyrtare. Hetimi për të kaluarën, motivet dhe lidhjet e tij të mundshme vazhdon në atë që zyrtarët e quajnë një nga vrasjet më të rëndësishme politike në historinë e kohëve të fundit të SHBA-së. /tesheshi.com/