Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e kishte informuar presidentin amerikan Donald Trump se Izraeli po planifikonte të sulmonte udhëheqësit e Hamasit në Katar pak minuta para sulmit ajror të javës së kaluar, raporton Axios.
Informacioni u përcoll nga zyrtarë izraelitë që folën me faqen amerikane të lajmeve.
Axios raporton se Netanyahu e informoi Trump-in me telefon në orën 08:00 sipas kohës së Uashingtonit, 51 minuta para sulmit.
“Trump nuk tha jo,” thonë burimet izraelite, duke vënë në dukje se presidenti amerikan kishte kohë të mjaftueshme për të ndaluar sulmin nëse donte.
Shtëpia e Bardhë tha, nga ana e saj, se u njoftua vetëm pasi raketat ishin lëshuar tashmë, pa i dhënë Trump-it mundësinë të kundërshtonte sulmin.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë e dinte për sulmin më herët, edhe nëse afati kohor për të ndaluar sulmin do të kishte qenë i kufizuar, raportoi Axios, duke cituar shtatë zyrtarë izraelitë.
Vetë Trump tha javën e kaluar se Izraeli nuk e informoi atë paraprakisht. Ai madje shprehu mosmiratimin e tij të fortë sepse Katari është një aleat i ngushtë i SHBA-së.
Versioni amerikan, shkruan Axios, ishte se ata kërkuan shpjegime nga Izraeli kur panë avionët e tyre. Përgjigjet erdhën kur raketat ishin në rrugë e sipër. Ata nxituan të informonin Katarin në atë kohë, por sulmi kishte ndodhur tashmë.
Qëndrimi i Izraelit, i përsëritur sot, edhe një herë nga Netanyahu, është se sulmi ishte vetëm iniciativë dhe ekzekutim i Izraelit, për të cilin “merr përgjegjësi të plotë”. /tesheshi.com/
