HAGË- James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, ka nisur dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë. Kjo është dita e dytë e dëshmisë së tij, pas asaj të dhënë të hënën në Hagë.

“Disa nga ngjarjet në atë kohë kanë qenë më pak të qarta”, tha ai.

Rubin megjithatë tha se nuk kishte informacione për këto dallimet e vogla brenda ushtrisë. Ai u pyet edhe nëse është takuar me Jakup Krasniqin gjatë luftës, duke u përgjigjur se “nuk mendoj që jam takuar”.

Më tej shtoi se nuk i kujtohet nëse Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli ishin pjesë e delegacionit shqiptar në Rambuje.

“Nuk më kujtohen të gjithë emrat, sepse kjo ka ndodhur para 25 vjetësh”.

Ish-diplomati amerikan, James Rubin tregoi si në fillim Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e përshkruan si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste.

Megjithatë, ai tha se më pas ky ndryshim qëndroi pasi UÇK-ja u pajtua me Rambujen.

“Ne fillimisht i përshkruanim si persona që bënin aktivitete terroriste, pra ndoshta ne shkelëm dëshirën tonë që të ishim në anën e engjëjve gjithmonë. Sepse për një periudhë të caktuar, derisa e kuptuam mirë situatën ne fillimisht e përshkuam atë si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste dhe ne sigurisht, ne nuk donim që të lidheshim apo të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitet terroriste. Ky qëndrim pastaj ndryshoi pasi UÇK-ja u pajtua me Rambujen dhe konsideruam që ishin në anën e engjëjve pasi nënshkruan marrëveshjen e paqes”, tha Rubin

Dje mbrojtja nisi paraqitjen e provave në gjykimin Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UCK, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke thirrur dëshmitarin e parë, në këtë rast James Rubin.

Sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, dëshmitari James Rubin ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Publike dhe Zëdhënës Kryesor nga viti 1997 deri në vitin 2000.

Po ashtu, përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dje ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për të shoqëruar dëshmitarin.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Rubin tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.

“Qeveria serbe gjithmonë është përpjekur të fajësojë UÇK-në dhe kjo është në përputhje me mënyrën e veprimit të regjimit serb, mënyrë se si ka vepruar në atë kohë, kjo është mënyra se si ata janë përpjekur të justifikonin fajin tek të tjerët”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re