Mbreti britanik Charles III organizoi një pritje për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Trump u ul me helikopter dhe mbërriti në Kështjellën Windsor, ku u pritën nga Princi William dhe Princesha Kate Middleton.

Menjëherë më pas, presidenti amerikan dhe zonja e parë u pritën gjithashtu nga Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla, duke filluar zyrtarisht protokollin shtetëror të mbushur me ceremoni.

Dy burrështetasit vazhduan bisedën e tyre përpara kështjellës, ndërsa Melania Trump, Mbretëresha Camilla dhe Princesha e Uellsit zhvilluan një bisedë të veçantë.

Pas përshëndetjes ceremoniale, procesioni mbretëror u nis me karroca luksoze nëpër oborrin e Windsor.

Në karrocën e parë, karrocën shtetërore irlandeze, hipën Mbreti Charles dhe Presidenti Trump. Në të dytën, karrocën shtetërore skoceze, Mbretëresha Camilla dhe Melania Trump ishin së bashku. Në karrocën e tretë, Princi dhe Princesha e Uellsit ishin së bashku me ambasadorin e SHBA-së dhe gruan e tij.

Karroca e katërt dhe e pestë ishin për zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe të Dërguarin Special Steve Witkoff. Autokolona kaloi nëpër Portën George IV dhe hyri në Windsor, ku presidenti amerikan u prit nga një roje nderi ushtarake britanike. U luajtën himnet kombëtare të të dy vendeve dhe më pas Mbreti Charles dhe Donald Trump parakaluan rojen e nderit.

Ceremonia do të përfundojë me një drekë të përbashkët brenda mureve të kështjellës, ku bisedimet do të vazhdojnë në një ambient privat. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re