Policia Kufitare e Morinës ka arrestuar dy të rinj nga Berati, pasi akuzohen se kanë tentuar që të trafikojnë një 14-vjeçare nga Durrësi në Kosovë.

Në pranga ka rënë i riu E.G., i cili ishte drejtuesi i automjetit që ndaloi policia. Po ashtu është arrestuar edhe pasagjeri A.K., për moskallëzim të krimit.

Ndërsa policia bën me dije se ditën e djeshme, familjarët e 14-vjeçares, kanë denoncuar largimin e minorenes nga shtëpia.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar dhe në analizën e riskut, kanë ndaluar në dalje të RSh-së, automjetin me drejtues shtetasin E. G., 22 vjeç, i cili udhëtonte me shtetasin A. K., 18 vjeç, dhe me një shtetase 14 vjeçe.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. G. po tentonte ta kalonte në kufi, 14-vjeçaren, me qëllim trafikimin e saj në Kosovë.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. G., 22 vjeç, banues në Berat, për veprën penale ”Trafikimi i të miturve”;

A. K., 18 vjeç, banues në Berat, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Më datë 28.09.2025, në DVP Durrës, kanë kallëzuar familjarët e 14-vjeçares, për largimin e saj nga banesa.

Vijojnë hetimet për rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re