Tiranë- Tetëmbëdhjetë asete me vlerë 3 milionë euro janë sekuestruar këtë të hënë.  Sipas policisë, dyshohet se janë të përfituara nga burime kriminale, nga një 35-vjeçare gjatë detyrës si notere.

Asetet e sekuestruara bëhet e ditur se janë 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare.

Paralelisht po kryhen veprime hetimore dhe procedurale, për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të 35-vjeçares, me burime të dyshimta, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore burimin e të ardhurave të kësaj shtetaseje.

“Në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar në Prokurorinë e Tiranës, me objekt gjurmimin e aseteve kriminale, të dyshuara të përfituara nga shtetasja  35 vjeçe, banuese në Tiranë, gjatë kryerjes së detyrës si notere, Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizoi operacionin “Nënshkrimi”. Në vijim të veprimeve procedurale, të kryera në kuadër të këtij procedimi, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për ekzekutimin e 18 pasurive të 35-vjeçares, me vlerë 3 milionë euro, konkretisht 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare”, sqarohet në njoftimin e policisë.

Hetimet dhe veprimet operacionale, lidhur me këtë rast ende vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re