Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka nënshkruar të hënën një dekret për nisjen e fushatës së rekrutimit të vjeshtës, e cila synon të thërrasë rreth 135 mijë burra të moshës 18 deri në 30 vjeç për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Sipas dekretit, rekrutët duhet të paraqiten nga data 1 tetor deri më 31 dhjetor dhe do të shërbejnë për një periudhë njëvjeçare. Rusi zhvillon dy fushata rekrutimi në vit: një në pranverë dhe një në vjeshtë.
Fushata pranverore e këtij viti kishte për qëllim të rekrutonte 160 mijë ushtarë, ndërsa ajo e vjeshtës 133 mijë (sipas shifrave zyrtare të mëparshme).
Këta rekrutë nuk duhet të ngatërrohen me mbi 300 mijë rezervistë që u mobilizuan dhe u dërguan në luftë që nga vjeshta e vitit 2022, këta të fundit kishin përfunduar më parë shërbimin ushtarak.
Rekrutët dhe lufta në Ukrainë – çështje e ndjeshme për rusët
Dërgimi i të rinjve në luftë ka qenë gjithmonë një temë e ndjeshme në Rusi, sidomos pas luftës së parë në Çeçeni (1994–1996), ku shumë rekrutë u plagosën apo u vranë, duke shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.
Pavarësisht deklaratave zyrtare, në gusht 2024 Ukraina raportoi se kishte kapur disa rekrutë rusë gjatë një sulmi të befasishëm në rajonin e Kurskut, në kufi me Ukrainën.
Në vitin 2023, Rusia ndryshoi ligjin e rekrutimit, duke rritur kufirin maksimal të moshës nga 27 në 30 vjeç, për të zgjeruar bazën e mundshme të personave që mund të thirren në ushtri.
