Një situatë kaotike është krijuar mbrëmjen e sotme në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës, ku është anuluar pa paralajmërim fluturimi i linjës Athinë–Tiranë nga kompania ajrore WizzAir.
Më shumë se 100 pasagjerë, mes tyre gra të moshuara dhe fëmijë të vegjël, janë lënë në pritje pa asnjë informacion zyrtar nga kompania.
Pavarësisht përpjekjeve për të marrë një sqarim nga sportelet apo shërbimi ndaj klientit, pasagjerët thonë se nuk u është komunikuar as arsyeja e anulimit, as një orar i ri për nisjen.
Kjo ka shkaktuar shqetësim dhe irritim të madh, sidomos tek udhëtarët që kishin linja të tjera udhëtimesh apo angazhime urgjente në Shqipëri.
Disa prej udhëtarëve u shprehën se janë detyruar të qëndrojnë në këmbë me orë të tëra, ndërsa mungesa e informacionit nga kompania WizzAir vetëm sa e ka përkeqësuar situatën, duke irrituar edhe më tej gjithë pasagjerët e kësaj linje ajrore.

