Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ka nisur vaksinimi i stafit mjekësor kundër gripit sezonal 2025-2026. Drejtoresha e Spitalit Infektiv, prof. Najada Çomo, u bëri thirrje sot të gjitha stafeve mjekësore, infermierëve, stafeve mbështetëse dhe punonjësve të kujdesit social e shëndetësor të kryejnë vaksinën.
“Stafi i shërbimit infektiv, i cili përballet me pacientë që kanë sëmundje të ndryshme virale përfshirë edhe gripin sot nisi procesin e vaksinimit. U vaksinuan një grup mjekësh, infermierësh, sanitarësh. Në ditët në vijim do të përfundojmë vaksinimin e plotë të stafit që punon në shërbimin infektiv”, theksoi Çomo, në një video të publikuar në rrjetet sociale nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Çomo vuri në dukje se vaksina kundër gripit është mjeti më i fortë që parandalon infektimin nga virozat e stinës. “Ndaj ata që janë persona që kanë sëmundje kronike, që janë staf mjekësor apo që punojnë me pacientë siç janë psikologë, sociologë, që punojnë në azilet e të moshuarve janë të lutur që të nxitojnë për t’u vaksinuar në vendet e punës ku vaksina ka mbërritur”, tha Çomo.
Ndërkohë që MSHMS bën të ditur se të gjithë qytetarët që duan të kryejnë vaksinën mund ta rezervojnë ditën e tyre në e-Albania.
MSHMS i bën apel qytetarëve të vaksinohen në qendrat e vaksinimit më të afërta, pasi vaksina shpëton jetë dhe në këtë mënyrë mbroni veten dhe të tjerët rreth jush. Fushata e vaksinimit antigrip ka nisur në datën 22 shtator, ndërsa janë 280 mijë doza vaksinash në dispozicion të qytetarëve të shpërndara në qendrat shëndetësore në vend.
Vaksinimi i personelit shëndetësor po vazhdon në të gjithë vendin, ndërsa janë njoftuar qytetarët e moshës së tretë, gratë shtatzëna, fëmijët dhe të gjithë personat që kanë sëmundje bashkëshoqëruese. Në udhëzimet e MSHMS-së thuhet se vaksina antigrip mund të bëhet nga personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, ata me probleme të sistemit kardiovaskular, të sistemit pulmonar dhe të sistemit renal. E këshillueshme është që vaksina të bëhet edhe nga gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës mbi gjashtë muajsh.
