Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se do të ngrihet një komision për reformën zgjedhore.
Në një deklaratë për mediat, Balla u shpreh se me afrimin e Shqipërisë në BE, vendi duhet të ketë anëtarët e saj në Parlamentin Europian.
Balla shtoi se do të ketë komision edhe për reformën territoriale.
“Çështje e dytë, për të cilën, do ishte mirë të adresohej puna për reformën zgjedhore, duhet të kemi nenet përkatëse të kodit zgjedhor, sa i takon edhe zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Në perspektivën tonë, po afrohet momenti kur Shqipëria duhet të ketë anëtarët në PE. Çështja tjetër ka të bëjë me administrimin territorial. Këto duhen parë për t’i hapur rrugë reformave të reja, lidhur edhe me ndarjen administrative dhe territoriale. Këto komisione janë shumë të rëndësishme. Të plotësojmë vakancat në këto komisione.
Mendoj se ka plot çështje që duhen adresuar. Mos harrojmë që jemi në një çështje përmbyllëse të negociatave të BE. Nuk bëj orakullin e vendimeve që do të bëjë ky komision. Ftesa është që në një nga konferencat e kryetarëve unë do ua bëj këtë ftesë kryetarëve të opozitës. PS, Grupi Parlamentar do e atashojë. Barazia gjinore, është një projektligj është punuar prej muaj, i takon Kuvendit ku do i shohim dhe të baraspeshojmë të gjitha rekomandimet që do të bëjmë, ndoshta do bëjmë dhe ndryshime. Në funksionalitetin tonë të brendshëm barazinë gjinore e kemi të domosdoshme. Kemi dy komisione, të cilat kanë funksionet e tyre, në Komisionin administrativ kemi Maznikun, kurse në Komisionin për Reformën Zgjedhore kemi Gjiknurin, presim dhe përfaqësuesit e opozitës.”, theksoi ai.
