Homazhe u mbajtën këtë të mërkurë në nderim të gjykatësit Astrit Kalaja, qëlluar e vrarë në sallën e gjyqit teksa dha një verdikt gjyqësor mbi një proces për zhbërje gjobash karshi banorëve të një godine me probleme pronësie në Shkodër. Rasti tragjik ka tronditur drejtësinë shqiptare, opinionin dhe politikën.

“Një tragjedi e madhe për familjen, të afërmit, kolegët dhe vetë shtetin, u prehtë në paqe dhe të rroni e ta kujtoni gjjthnjë. Edi Rama”, shkroi kryeministri Rama.

Avokati Maks Haxhia e cilësoi të ndjerin si njeriun “më human” në sistemin e drejtësië.

“Iku një njeri, familjar, baba, koleg, vëlla, baba një njeri shumë i mirë. Iku njeriu më human në sistemin e drejtësisë. Takova kolegët gjyqtarë dhe ata janë komplet të demoralizuar dhe një nga ata tha që na kanë nxjerrë në pritë. Dhe kjo është shumë e rëndë. Ne duhet të sqarojmë popullin që gjysma do të humbë. Se prandaj ka vajtur në gjykatë për të marrë një vendim. Analiza duhet të fillojë edhe tek avokati”, arsyetoi ai.

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, tha se siguria në gjykatat shqiptare është në nivelin zero dhe se gjyqtarët duan siguri që të japin drejtësi.

“Patjetër që duhen marrë masa se situata është shumë kritike. Gjendja në gjykatat shqiptare është e papranueshme, siguria është në nivelin zero. E them me bindje të plotë dhe nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë. Gjyqtarët duan siguri që të japin drejtësi”, u shpreh ai.

Ministri i ri Drejtësisë, Besfort Lamallari, dha të kuptuar se e ka patur edhe mik të ndjerin, në shënimin që ka lënë për të.

“Lamtumirë njeriut të ligjit, shërbëtorit të drejtësisë e profesionistit të spikatur, Astrit Kalaja. Kontributi i tij i çmuar do të mbetet frymëzim për të gjithë ata që besojnë në forcën e ligjit dhe në shtetin e së drejtës. Ngushëllime për familjen, kolegët, trupën gjyqësore dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan Astritin. Prehu në paqe mik i dashur!”.

Nga ana tjetër, kryeparamentarja Spiropali ka reaguar ashpër ndaj atyre zërave në rrjete që janë rreshtuar krah viktimës, kuptueshëm deri diku, ndonëse gabueshëm në pikëpamje humane, prej mllefit ndaj sistemit torturues të drejtësisë në Shqipëri, ku jo pak përgjegjësi ka dhe politike, pjesë e së cilës është dhe Spiropali.

“Jashtëzakonisht tronditëse përpjekja e këtyre ditëve për të glorifikuar aktin barbar të vrasjes së gjyqtarit Kalaja përmes një serie publikimesh në media, pasuar nga një lum komentesh të neveritshme në adresë të viktimës.

Po aq indinjuese është edhe tentativa për të justifikuar vrasësin për veprimin ekstrem që mori një jetë njeriu dhe lëndoi dy të tjerë.

Urrejtja mbi viktimat dhe lartësimi i agresorëve duke shfrytëzuar lirinë për të shkruar e komentuar në hapësirën digjitale, nuk mund të jetë kurrsesi Shqipëria Europiane.

Ndërkohë që me BE-në po negociojmë për t’iu afruar përherë e më shumë standardeve të medias e etikës demokratike europiane, nevojitet një ndërgjegjësim dhe reflektim i plotë për masat e ardhshme ligjore që mbrojnë dinjitetin e individit, po aq sa edhe lirinë e shprehjes.

Publikimet e paverifikuara mbi protagonizmin vrastar dhe vala e komenteve baltosëse në rrjetet sociale mbi viktimën nuk mund të jetë kurrsesi fytyra e shoqërisë shqiptare.

Shqipëria e vërtetë është shumë më shumë se kaq; është vlerë, është respekt, është dinjitet!

Ngushëllimet më të ndjera familjarëve të gjyqtarit Kalaja dhe solidaritet me gjyqtarët, prokurorët dhe gjithë shërbëtorët e shtetit shqiptar!”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re