Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së se qytetarët shqiptarë kanë humbur te drejtën e procesit ligjor, pasi dosjet e tyre zvarriten nëpër gjykata deri në 15 vite.
Berisha tha se 80% e Prokurorive dhe Gjykatave në vendin tonë nuk kanë kryetarë.
Teksa iu referua vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra më 6 tetor në sallën e Gjykatës së Apelit, nga Elvis Shkambi, Berisha tha se kjo ngjarje dhe shumë të tilla si kjo me vetëgjyqësi vijnë si pasojë e sistemit të drejtësisë që ka shumë probleme.
Berisha: Me asgjë vetëgjyqësia nuk justifikohet. Por doni ta dini? Ky është rasti flagrant, por u them unë ju në vetëgjyqësi për shkak të këtij sistemi janë qindra të vrarë në Shqipëri gjatë 4-5 viteve të fundit. Janë qindra të plagosur.
Po, po, statistika e investiguesve kjo. Nuk ka gjyqe.
Shqiptarët, e kemi thënë 100 herë, 200 herë, janë të vetmit në Europë që kanë humbur të drejtën e procesit ligjor të drejtë.
Procesi ligjor i drejtë nënkupton procesin ligjor në kohën e duhur.Shqiptarët nuk e kanë këtë.
E kanë pasur afatin 2 deri në 4 vite, maksimumi, të procesit ligjor, tani e kanë 15 vite dhe sipas stokut 230 mijë dosje, përfshi në të gjitha shkallët e gjyqësorit, sipas këtij stoku, specialistët thonë duhen 20 vite.
Ju nuk mund ta imagjinoni se çfarë pengu është sot ai që quhet sistem drejtësie. Ju keni dëgjuar dhe keni lexuar se 80 përqind e prokurorive dhe gjykatave nuk kanë kryetar.
Shikoni korporatat e turpit. KLGJ dhe KLP, qeveritë kushtetuese të tyre, nuk emërojnë kryetarët. Po a e dini pse? Motivet janë ultrakorruptive.
Ose se ata që janë, që plotësojnë kriteret, sepse Kushtetuta ka përcaktuar kritere për të qenë kryetar, 8 vite apo 10 vite, nuk plotësojnë kriteret. Ose ata i plotësojnë kriteret dhe paguajnë qimet e kokës për të marrë atë vend.
Dhe së fundmi, ato ruhen të gjitha për patronazhistët, të cilët nuk kanë bërë 8 vite në sistemin e drejtësisë. Shikoni se çfarë kapje të tmerrshme i kanë bërë drejtësisë.
Se çfarë pamëshirësie. Këta mafiozë, këto tentakula mafioze…
Pra, këta kanë vënë rregull që magjistratët duhet të kenë bërë disa vite në administratë. Duhet të jenë patronazhistë. Ligji e thotë se magjistratët para se të hyjnë në Shkollë Magjistrature duhet të jenë patronazhistë.
Tani këta patronazhistë kanë mbaruar, disa prej tyre. Por problemi është se nuk plotësojnë kushtin kushtetues.
Dhe po të lexosh pollet, pollet thonë drejtësia e re më e pëlqyera. Historia e më e turpshme e manipulimit të opinioneve.
Më kujtohet sot, janë pollet, i kam këtu, në vitin 2012-13 sigurisht kishte korrupsioni, por të themi të vërtetën, korrupsioni i drejtësisë ishte mbrapa korrupsionit të shëndetësisë dhe policisë. Dhe ishin agjenci ndërkombëtare që e bënin këtë.
Kishte, nuk them se nuk kishte, por nuk ishte i pari.
Dhe makineria propagandistike e Xhorxh Sorosit dhe Edi Ramës e nxirrte korrupsionin në drejtësi në shifra që nuk ekzistonte kurrë, vetëm që të justifikonte shpërbërjen e sistemit të drejtësisë.
Dhe tani jemi të shqetësuar për stokun e dosjeve. Nuk je i shqetësuar që kanë humbur shqiptarët të drejtën e procesit ligjor mor zotëri?
Dhe e bënë reformën, e udhëhoqën dy figurat më të korruptuara të huaja që kanë shkelur në Shqipëri, Donald Lu dhe Vlahutin. Që shkoi e mori në qafë edhe drejtorin e OLAF-it për korrupsionin e saj.
Kjo është e vërteta.



