Berisha: Edi Rama i provuar në kontakt me kartelet e drogës! Ky është një rrezik për Shqipërinë, rajonin dhe Europën


Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar publikisht se ky i fundit është i provuar se mban kontakte me kartelet e drogës, një fakt që sipas tij përbën një kërcënim serioz jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin dhe Europën.“Edi Rama është i provuar se mban kontakte me kartelet e drogës. A nuk është ky një problem madhor për vendin? Ky është një problem madhor për rajonin dhe Europën,” deklaroi Berisha gjatë një reagimi për mediat pas mbylljes së seancës plenare në Kuvend.

Ai theksoi se e gjithë ndërhyrja e tij në sallën e parlamentit ishte në përputhje të plotë me rregulloren dhe Kushtetutën, duke denoncuar refuzimin e një interpelance nga ana e kryeministrit Rama lidhur me çështje të ndjeshme që, sipas tij, lidhen me trafik ndërkombëtar droge dhe figura të lidhura me regjime autoritare.“Vetëm Maduro i Venezuelës është i akuzuar për lidhje të tilla. Tani edhe Edi Rama është në këtë listë,” u shpreh Berisha.

Ai kritikoi rëndë edhe mënyrën se si po funksionon Kuvendi, duke e cilësuar këtë legjislaturë si më të errëtën në historinë e parlamentarizmit shqiptar.“Ky parlament nuk ka qenë kurrë në ditë më të zezë. Sa përmend Edi Ramën, Aruba-n, apo Luftar Hysin, kryetari merr urdhër dhe mbyll sallën. Por Edi Rama nuk mund të shpëtojë nga këto,” vijoi më tej Berisha.

Ish-kryeministri theksoi se opozita do të vazhdojë të ngrejë zërin dhe të mbrojë të drejtat e saj në sallën e parlamentit, duke mos hequr dorë nga kërkesat për transparencë dhe llogaridhënie.