
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër pas mbylljes së papritur të seancës plenare në Kuvend, duke e cilësuar atë një akt të pashembullt në historinë e parlamentarizmit shqiptar.
Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për shkelje të rëndë të të drejtave kushtetuese të deputetëve dhe tha se parlamenti u mbyll nga frika pas deklaratave të tij që denonconin lidhjet e qeverisë me çështje të nxehta ndërkombëtare.
“Ky është Pelesh-parlamenti, unik në historinë e tij. E turpshme. Këta kanë frikë dhe tmerr dhe votojnë me shpejtësi të rrufeshme,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se e vetmja gjë që kishte ndodhur ishte denoncimi i tij për refuzimin e kryeministrit Edi Rama për të folur mbi çështjen “Aruba” dhe për ministrat që, sipas tij, kanë qenë të përfshirë apo të pranishëm atje. Po ashtu, Berisha rikujtoi edhe vizitat e përfolura të zyrtarëve shqiptarë në Meksikë dhe pritjen që, sipas tij, i është bërë kartelit famëkeq Sinaloa.“Dhe këto fjalë, sikur të ishin thika apo bajoneta, detyruan Peleshin të mbyllë parlamentin,” theksoi ai, duke e cilësuar këtë si një akt që “de facto është asgjësimi i parlamentit.”
Berisha shtoi se opozita po ushtronte një të drejtë kushtetuese dhe se seanca kishte të parashikuara 10 orë debat, por mazhoranca zgjodhi të largohej dhe të mbyllë sallën.“Ky është parlament që nuk duhet të ekzistojë asnjë ditë,” përfundoi Berisha.
