Në Berat, vjelja e ullirit është shoqëruar edhe këtë vit me festë. Për të katërtin vit radhazi, në fshatin Bilçë është organizuar “Festa e Ullirit”. Pjesëmarrësit kanë shijuar këngë dhe valle, ndërsa stendat kanë promovuar produktet dhe nënproduktet e vajit të ullirit.
Kjo festë ka për qëllim promovimin e prodhimit të përvitshëm të fermerëve të zonës, ndërsa përveç banorëve të fshatit, merrnin pjesë edhe blerës të ndryshëm ulliri.
Fermerët e Bilçës kanë theksuar se prodhimi i ullirit këtë vit ka pësuar një rënie drastike.
Sipas tyre, ulja e temperaturave gjatë çeljes së lules së ullirit dhe infeksionet e ndryshme kanë ndikuar në këtë rënie.“Ka qenë shumë i dobët, sivjet është 20% i prodhimit të ullirit. Kanë ndikuar shumë faktorë, si i ftohti dhe infeksionet. Ulliri i tavolinës ka pësuar më shumë goditje.”
Fermerët shprehen se kujdesi ndaj drurit të ullirit është ai që bën diferencën në prodhim midis fermerëve.
“Unë e kam mbaruar prodhimin për arsye se kam kujdesur vit pas viti në të gjitha drejtimet, krasitje, spërkatje, plehërim… Nëse dua prodhim të mirë, kam filluar të kujdesem për ullinjtë që tani.”
Çmimet për ullirin e tavolinës dhe vajin e ullirit janë gjithmonë në rritje, por këtë vit, problemi kryesor është mungesa e fuqisë punëtore.
Sipas fermerëve, sasia e ullirit të mbledhur nuk mbulon dot kostot e shpenzimeve, ndaj shumica e tyre janë të detyruar ta mbledhin ullirin me ndihmën e familjarëve.
“Kjo është puna jonë e përditshme, dhe merremi me ullirin këtë sezon familjarisht.”
“Bilça është e njohur për ullinjtë. Disa kohë më parë, ishte ndërmarrje shtetërore dhe kishte 110 mijë rrënj ullinj.
Kemi mungesë punëtorësh, po vjelim vetë me familjen, sepse punëtorët shkojnë deri në 25 mijë lekë.”
Pjesa më e madhe e fermerëve të fshatit Bilçë jetojnë nga të ardhurat që fitojnë nga shitja e ullirit dhe vajit të ullirit. Qyteti i Beratit është një nga zonat më të rëndësishme të prodhimit të ullirit në Shqipëri dhe Ballkan, ndërsa viti 2022 shënoi vitin rekord për prodhimin e ullirit në këtë qytet. Megjithatë, këtë vit çmimet kanë variuar nga 130 lekë deri në 170 lekë për kilogram ulliri.
