Vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria, përballen me sfida për të arritur standardet e Bashkimit Europian në ekonomi, çështjet sociale, qeverisje etj.
Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare ka ndërtuar një platformë interaktive që mat konvergjencën në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Serbia).
Në kontekstin social, Shqipëria ka 73 vite prapambetje në krahasim me BE-në. Kosova paraqitet më mirë me 19 vite prapambetje, ndërsa Maqedonia e Veriut është më keq, me më shumë se 100 vite prapambetje.
Për infrastrukturën, të gjitha vendet e rajonit kanë prapambetje të njëjtë, me më shumë se 100 vite nga standardi i BE-së. Gjithashtu, prapambetja është e thellë edhe në standardet mjedisore, me më shumë se 100 vite diferencë.
Shqipëria, nga njëra anë, ka shanse më të mira për konvergjencë në krahasim me vende që janë në gjendje më të rëndë; por nga ana tjetër, hendeku me mesataren e BE-së mbetet i madh — 53 vite, sipas modeleve të Converge2EU.
Për të ngushtuar këtë hendek, Shqipëria duhet të fokusohet në politikat që lidhen me mjedisin, arsimin dhe infrastrukturën teknologjike, ndërkohë që përforcon institucionet dhe qeverisjen. Në rastin e Shqipërisë, përparimi është më i dukshëm në fushën e dixhitalizimit dhe përmirësimit të infrastrukturës bazë, ku reformat e viteve të fundit kanë sjellë rritje të aksesit në internet dhe të shërbimeve publike online.
Megjithatë, diferenca me BE-në mbetet e thellë në fusha të tjera, si mjedisi — ku ndotja e ajrit dhe menaxhimi i mbetjeve mbeten sfida serioze — dhe arsimi, ku cilësia dhe përputhja e aftësive me tregun e punës janë ende të ulëta. Po ashtu, në mirëqenie sociale dhe të ardhura për frymë, Shqipëria vijon të mbetet prapa.
Projekti Converge2EU, nga Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare, mat se sa afër janë vendet e Ballkanit Perëndimor me standardet e Bashkimit Europian, jo vetëm në kuptimin formal të integrimit, por në mënyrën se si qytetarët jetojnë dhe përfitojnë nga zhvillimi ekonomik e social.
Projekti analizon tetë fusha kryesore — ekonominë, mirëqenien sociale, arsimin, shëndetësinë, mjedisin, qeverisjen, digjitalizimin dhe infrastrukturën — duke i krahasuar me mesataren e BE-së. Qëllimi është të tregojë se sa vite do t’u duhen këtyre vendeve për të arritur standardet europiane në secilën fushë dhe cilat politika mund të ndihmojnë për të përshpejtuar procesin e konvergjencës./ Monitor
