FOTOT/ Bllokimi i autostradës Tiranë-Durrës, trafik dhe radhë kilometrike në aksin Vorë-Maminas

Trafik në aksin Durrës-Tiranë dhe radhë të gjata mjetesh, duke penguar qarkullimin për shkak të bllokimit të autostradës.

Bllokimi i segmentit të autostradës Vorë-Maminas pasditen e sotme ka bërë që në aksin dytësor të krijohet trafik kilometrik.

Konkretisht, nga kryqëzimi i Budullës (afër Fushë-Krujës), e deri në Maminas.

Drejtuesit e kanë pasur të pamundur të qarkullonin, duke krijuar vështirësi edhe për akset e tjera ndërlidhëse të zonave rurale.

Vargu i mjeteve ka qenë i pandërprerë për rreth 15 kilometra.

Policia pothuajse ka dalë jashtë funksionit, pasi nuk e ka menaxhuar dot këtë fluks mjetesh, sepse arteria kryesore e autostradës ishte e bllokuar.

Për të menaxhuar situatën, shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme janë vendosur në të gjitha pikat kritike.

 

Në një deklaratë për mediat, Policia e Tiranës i ka bërë apel drejtuesve të automjeteve që:

“Të tregojnë durim dhe vetëpërmbajtje gjatë kohës së pikut, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e policisë dhe të përdorin rrugët alternative, nëse është e mundur, për të shmangur vonesa të gjata në lëvizje”.