Përplasje në Konferencën e Kryetarëve para seancës plenare: Debate për komisionet dhe akuzat për bllokim fjale

Opozita dhe mazhoranca janë mbledhur në Konferencën e Kryetarëve ku kane diskutuar per seancën e nesërme plenare, ku pritet miratimi edhe i dy komisioneve të Posaçme, atij të Reformës Zgjedhore dhe Reformës Territoriale.

Dy projektvendimet, janë depozituar tashmë në Konferencën e Kryetarëve dhe nesër kalojnë në seancë plenare. PS ka bërë një ‘lëshim’ për opozitën, se cilës i ka ofruar bashkëdrejtim në komisionin e Zgjedhores dhe numër të barabartë anëtarësh, 8 opozita dhe 8 mazhoranca. Ndërkohë, në Komisionin për Reformën Territoriale do të përbëhet nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë.

Debatet mes PS dhe PD nuk munguan as në Konferencën e Kryetarëve, ku opozita u ankua se nuk i lejojnë të flasin. Kreu i grupit të PD, Gazmend Bardhi  debatoi me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshhi për shkak të mbylljes së seancës së 9 tetorit, ku opozita në bllok po kërkonte doreheqjen e dy ministrave,, Albana Koçiu dhe Besfort Lamallari pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

Bardhi i tha Peleshit se nuk mund ta mbyllë seancën se deputetët e opozitës po flisnin, duke ironizuar socialistët kur tha se në Kuvend ka deputetë që e marrin forcën nga krimi i organizuar, por opozita nuk merr urdhra nga krimi.

“Ajo çfarë keni bërë me seancën e fundit është shkelje e rregullores dhe e Kushtetutës. Po e citoj këtu: “Kërkoi ndërprerjen e seancës për shkak se po merrej fjala për procedurë.” Zoti Peleshi, ju keni marrë përsipër të drejtoni Kuvendin. Nëse Kuvendi drejtohet nga kryetari i grupit, na e thoni, sepse opozita nuk ka vend në një Kuvend që diktohet nga forcat e kartonëve. Nuk mund ta mbyllni Kuvendin pse deputetët po flasin.

Seanca e datës 9 tetor është mbyllur sepse deputetët po flisnin. E kuptoj që në atë Kuvend ka deputetë që forcën e marrin nga krimi i organizuar dhe mendojnë se mund të mbyllin gojën e të tjerëve. Ta harrojnë! Ne nuk marrim urdhra dhe as nuk diktohemi nga krimi i organizuar. Po e përsëris: ta harrojnë! Nëse ju, zoti Niko Peleshi, nuk e mbani dot atë karrige, lërjani kryetarit të grupit që e keni aty me votat e krimit të organizuar”, tha Bardhi.

Përgjigjen e mori nga kreu i Grupit të PS, Taulant Balla si edhe vetë Niko Peleshi, i cili me ironi i tha opozitës se nuk mund ta vrasim debatin natën dhe ta qajmë ditën. Ndërsa, Balla u bëri thirrje që të respektojnë rregulloren në mënyrë që seancat plenare të vijojnë normalisht dhe të mos i mbyllin pa u zhvilluar i plotë rendi i ditës.“Ka deputetë që duan të flasin e të kontribuojnë, por kur seanca shkon keq dhe përfundon në votim, penalizohen edhe ata që nuk kanë asnjë rol në prishjen e debatit,” deklaroi Peleshi, duke shtuar: “Nuk mund ta vrasim debatin natën dhe ta prishim ditën.”