Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka mbajtur një fjalim të gjatë dhe të ngrohtë gjatë Samitit Ekonomik Shqipëri–Turqi, ku theksoi lidhjen historike dhe strategjike mes dy vendeve, duke i bërë një thirrje të drejtpërdrejtë sipërmarrësve turq për të investuar më shumë në Shqipëri.
“Investoni tani! Nuk do të bëheni pishman,” u shpreh Balluku në përfundim të fjalës së saj, duke cituar një nga fjalët e përbashkëta mes gjuhës shqipe dhe asaj turke.
Duke folur për përparësitë e Shqipërisë si një destinacion investimi, Balluku vuri në dukje klimën fiskale ndër më të favorshmet në rajon dhe Evropë. Ajo renditi një sërë lehtësish për investitorët e huaj, përfshirë:
-
Taksa të reduktuara prej 5% në sektorin e IT-së, bujqësisë dhe industrisë automotive
-
Përjashtime tatimore 10-vjeçare për investime në turizmin elitar
-
Përjashtime të plota për kinematografinë dhe fondet e pensioneve
-
Mbështetje direkte për zonat teknologjike dhe shkencore
Balluku theksoi se Shqipëria tashmë është më shumë sesa një destinacion turistik: është një vend në rritje për biznes, inovacion dhe ekspansion rajonal.
Në një ton emocional, Zëvendëskryeministrja theksoi miqësinë e lashtë mes dy popujve, duke kujtuar mënyrën se si shqiptarët ndihen në Turqi dhe anasjelltas. “Gjithmonë i kemi hapur njëri-tjetrit dyert e shtëpive dhe të zemrave tona”, u shpreh ajo.
Balluku përmendi gjithashtu ndikimin e kulturës turke në Shqipëri, veçanërisht përmes serialeve historike, duke theksuar se bashkëpunimi kulturor dhe artistik duhet të thellohet edhe më shumë. Ajo konfirmoi se edhe industria e filmit amerikan (Hollywood) ka filluar të tregojë interes për Shqipërinë si destinacion xhirimi.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua teknologjisë së avancuar ushtarake dhe civile të Turqisë. Balluku theksoi përdorimin shumëfunksional të dronëve “Bajraktar” në Shqipëri jo vetëm për qëllime mbrojtëse, por edhe në bujqësi, emergjenca civile, infrastrukturë dhe turizëm.
“Turqia nuk ka qenë thjesht një mik i Shqipërisë. Ka qenë një partner strategjik, që ka investuar që në vitet e para të demokracisë. Sot, nuk është më koha për thirrje ‘hajdeni e investoni’, por për thirrjen ‘investoni më shumë’,” tha Balluku.
Ajo përmendi se qeveria shqiptare është një partnere aktive dhe e gatshme për të mbështetur çdo projekt që ndihmon zhvillimin ekonomik të përbashkët dhe krijimin e “një armate në rritje të bizneseve turke që nga Shqipëria zgjerohen në botë”.