Një Akademi Kombëtare e Drejtimit pritet të ngrihet në Shqipëri brenda tre viteve të ardhshme, me synimin për të edukuar dhe trajnuar shoferët në nivel kombëtar, si pjesë e një strategjie të re për rritjen e sigurisë rrugore.

Projekti, që është përfshirë në Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Rrugore dhe është hedhur për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, do të realizohet nga Drejtoria e Transportit Rrugor në bashkëpunim me autoshkollat.

Akademia do të përfshijë poligone të specializuara trajnimi dhe programe edukative jo vetëm për drejtuesit e mjeteve, por edhe për nxënës, studentë dhe përdorues të tjerë të rrugës. Një fokus i veçantë do t’u kushtohet drejtuesve me histori shkeljesh.

Në planin e veprimit përfshihet edhe rishikimi i librave shkollorë dhe përgatitja e materialeve për mësuesit, me një buxhet prej 8 milionë lekësh për dy vitet e ardhshme. Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë do të investojë 3 milionë lekë për të përfshirë njohuritë bazë të ndihmës së shpejtë në programet e arsimit të mesëm nga viti 2027.

Strategjia parashikon angazhimin e mëtejshëm edhe të universiteteve, bashkive dhe sektorit privat, kryesisht kompanive të sigurimeve, në ndërgjegjësimin për sigurinë rrugore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re