Skip to content

Fatale në Pakistan: përdori shiringë të kontaminuar, mjeku infekton me HIV 90 persona

shutterstock image Hiv Viruse

Të paktën 90 persona, përfshirë 65 fëmijë, besohet se janë infektuar me virusin HIV nga një mjek që përdori një shiringë të kontaminuar. Ngjarja ka shqetësuar banorët e Pakistanit, raporton AFP, duke cituar zyrtarët shëndetësor.

“Pas marrjes së disa ankesave nga autoritetet, kemi arrestuar një mjek”, tha Kamran Navaz, shefi i policisë lokale që drejton rastin.

“Kemi kuptuar se mjeku gjithashtu ka virusin HIV”, shtoi ai.

Autoritetet u njoftuan për ngjarjen javën e kaluar, pasi 18 fëmijë nga një qytet periferik u testuan si “pozitiv” me virusin që shkakton AIDS.

Ata thanë se duke gjurmuar shkakun, arritën tek një mjek i vetëm, i cili duket se ka përdorur një shiringë të kontaminuar tek të gjithë pacientët.

Azra Pechuho, ministre e Shëndetësisë e provincës Sindh, konfirmoi arrestimin e tij.

“Gjaku i prindërve të fëmijëve të infektuar u testua, por rezultatet e tyre ishin negative,” shtoi Pechuho.

Pakistani konsiderohet si një vend me prevalencë të ulët të HIV-it, por sëmundja po zgjerohet kryesisht në mesin e përdoruesve intravenozë të drogës.