Parlamenti portugez miratoi të premten një ligj që ndalon përdorimin e mbulesës së fytyrës për “arsye gjinore ose fetare” në shumicën e hapësirave publike, të propozuar nga partia e ekstremit të djathtë Chega. Ligji, specifikisht, synon burkat dhe nikabët e veshur nga gratë muslimane.

Sipas ligjit, gjobat e propozuara për mbajtjen e mbulesës së fytyrës (burka dhe nikabi) në publik do të variojnë nga 200 deri në 4,000 euro. Detyrimi i dikujt për t’i mbajtur ato do të dënohet deri në tre vjet burg.

Por mbulimi i fytyrës do të lejohet ende në aeroplanë, ambiente diplomatike dhe ndërtesa fetare.

Kështu, Portugalia u bashkohet vendeve evropiane, përfshirë Francën, Austrinë, Belgjikën dhe Holandën, të cilat tashmë kanë ndalime të plota ose të pjesshme. Por presidenti Marcelo Rebelo de Sousa mund të vërë ende veton ndaj ligjit ose ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Gjatë një seance parlamentare të premten, udhëheqësi i Chege, Andre Ventura, u përball me disa ligjvënës nga partitë e krahut të majtë që kundërshtuan ligjin, por ai u miratua me mbështetjen e një koalicioni të qendrës së djathtë.

“Sot po i mbrojmë anëtarët e parlamentit, vajzat tuaja, vajzat tona, që një ditë të mos u duhet të veshin burka në këtë vend,” tha Ventura.

Andreia Neto, një ligjvënëse nga Partia Social Demokrate në pushtet, tha para votimit: “Ky është një debat për barazinë e burrave dhe grave. Asnjë grua nuk duhet të detyrohet të mbajë një mbulesë për fytyrën.”

Por vetëm një pakicë e vogël grash myslimane në Evropë i mbulojnë fytyrat e tyre, dhe në Portugali mbulesa të tilla janë shumë të rralla, raporton Reuters.

Mbulesat e plota të fytyrës, të tilla si nikabët dhe burkat, janë bërë një çështje polarizuese në të gjithë Evropën, me disa që argumentojnë se ato simbolizojnë diskriminim gjinor ose mund të përbëjnë një kërcënim për sigurinë dhe duhet të ndalohen.

Megjithatë, e gjitha është një paragjykim. Ideja që ato detyrohen t’i mbajnë është tashmë një pretendim i dalë boje. Ato janë zgjedhje të lira të vetë grave që vendosin t’i mbajnë, edhe pse detyrimi fetar, ai që vjen nga Zoti është thjesht mbulimi i flokëve e jo me patjetër ai i fytyrës. Dhe kujtojmë se mbulimi i flokëve është dhe në Krishterim, pra për femrën me jetë tipike të krishterë, siç reflektohet kjo te murgeshat e siç e ka dhe Maria e tyre, ose ndryshe Merjemja muslimane. /tesheshi.com/    

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re