Pretendime sensacionale se Kulla Eiffel do të prishet në vitin 2026 janë përhapur në rrjetet sociale, pas mbylljes së përkohshme të atraksionit.
Monumenti 330 metra i lartë, që është bërë një nga strukturat më ikonike në botë, tërheq miliona vizitorë çdo vit. Vetëm në vitin 2023, ai gjeneroi 117.87 milionë euro të ardhura.
Është një nga monumentet e rralla franceze që nuk merr subvencione shtetërore dhe punëson mbi 300 persona në qytet. Por pse njerëzit mendojnë se Kulla Eiffel po shkon drejt fundin të saj?
Pse u mbyll Kulla Eiffel këtë muaj
Në fillim të tetorit (2 tetor), banorët në më shumë se 200 qytete e qyteza të Francës dolën në rrugë për të protestuar kundër shkurtimeve buxhetore të qeverisë dhe për të kërkuar taksa më të larta për të pasurit.
Në Paris, mijëra u bashkuan në grevat kombëtare, çka bëri që Kulla Eiffel të pezullonte hyrjen e vizitorëve për arsye sigurie.
“Për shkak të grevës, Kulla Eiffel është e mbyllur,” thuhej në një tabelë në hyrje. “Kërkojmë ndjesë.”
A po e shemb Parisi Kullën Eiffel?
Javë përpara protestës, një faqe satirike lajmesh botoi një artikull në formë shakaje, duke pretenduar se Kulla Eiffel do të shembej me buldozer dhe do të shndërrohej në një “rrëshqitëse gjigante” ose sallë koncertesh.
Megjithatë, falë rrjeteve sociale dhe mungesës së kontekstit, këto dy histori u ngatërruan dhe u përzien. Në platformën X (ish-Twitter), llogari me qindra mijëra ndjekës nisën të shpërndanin postime mashtruese, duke deklaruar se monumenti po i afrohej “fundit të një epoke.”
“Sipas raporteve, Kulla Eiffel – simbol i Francës për mbi 135 vjet – pritet të prishet në vitin 2026 pas skadimit të kontratës së operimit,” thuhej në postimet e rreme.
“Lodhja strukturore, mirëmbajtja e kushtueshme dhe ankesat publike në rritje janë arsyet kryesore pas këtij vendimi tronditës.”
Disa përdorues të rrjeteve sociale e besuan menjëherë lajmin, me një që shkruante: “Prisni, Paris! Mos prishni vendin e ëndrrës sime për propozim!” Ndërsa një tjetër komentoi: “Oh… kjo s’duhet të ndodhë.”
Të tjerë, megjithatë, vunë menjëherë në dyshim besueshmërinë e lajmit, duke qetësuar ndjekësit se bëhej fjalë për një lajm të rremë.
Société d’Exploitation de la Tour Eiffel (SETE), që menaxhon kullën, nuk ka reaguar publikisht ndaj pretendimeve virale. Turistët vazhdojnë të mund të rezervojnë bileta online për të hyrë në Kullën Eiffel.
Si ndikojnë lajmet e rreme në industrinë e udhëtimeve?
Edhe pse shumë njerëz janë skeptikë ndaj lajmeve të ekzagjeruara dhe pretendimeve të rreme, ato mund të shkaktojnë kaos për destinacionet që varen nga turizmi.
Më herët këtë vit, Italia njoftoi se do të ndërmarrë masa kundër vlerësimeve të rreme të hoteleve dhe restoranteve, pasi pronarët u ankuan se reputacioni i tyre po dëmtohej padrejtësisht.
Sipas Ministrisë italiane të Ndërmarrjeve, përmbajtjet e rreme ose të manipuluara ndikojnë nga 6% deri në 30% të të ardhurave të bizneseve në sektorin e mikpritjes dhe turizmit.
Si rezultat, vendi prezantoi rregulla të reja që kërkojnë që turistët të ofrojnë provë të vizitës përpara se të lënë një vlerësim.
“Ky është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e bizneseve tona,” deklaroi ministrja italiane e turizmit Daniela Santanché, gjatë prezantimit të ligjit.
“Vlerësimet, të cilat falë këtij ndërhyrjeje ligjore do të jenë realisht të vërteta, janë thelbësore për suksesin e kompanive dhe për besimin e konsumatorëve e turistëve.”
