Ibn Halduni e paraqet njeriun si një qenie shoqërore, jeta e së cilës nuk mund të vazhdojë pa një shoqëri. Ai thotë: “Bashkësia është e domosdoshme për llojin njerëzor, përndryshe nuk do të mund të imagjinohej ekzistenca e tyre dhe ajo që Zoti dëshiroi nga ndërtimi i botës përmes tyre dhe përfaqësimi i tyre në të.” (Koncepti i mëkëmbësisë së Zotit në tokë “hilafeti”).
Njeriu, sipas tij, është i krijuar për të jetuar me të tjerët dhe i pajisur fizikisht për këtë qëllim, siç është dora e tij e përshtatur për mjeshtëritë dhe zanatet, që e bëjnë jetën e tij të mundshme. Këtu, koncepti i “umran” (qytetërimit) merr një kuptim të thellë njohës, sipas tij, ai lidhet me vetë qëllimin e krijimit të njeriut. Përfaqësimi i njeriut në tokë (hilafeti) bëhet përgjegjësi e çdo individi në radhë të parë, për ta realizuar në vetvete, dhe më pas përgjegjësi kolektive për ta përmbushur në shoqëri, në kuadrin e qytetërimit njerëzor.
Ibn Halduni thekson gjithashtu se njeriu është zot i fatit të vet, ndryshe nga kafshët, sepse Zoti e ka krijuar botën shtazore për ekzistencë të përcaktuar (tekvin), ndërsa njeriut i ka dhënë misionin e ndërtimit (umran). Kafshët jetojnë sipas instinktit dhe një rruge të caktuar paraprakisht, ndërsa njeriu ka zgjedhje dhe liri për të përcaktuar fatin e tij. Prandaj, prindërit njerëzorë janë të shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre, sepse fati i tyre varet nga vendimet dhe drejtësia e zgjedhjeve të tyre.
Sa i përket hilafetit, Ibn Halduni e koncepton atë si një hegjemoni të përgjegjshme, jo sundim të padrejtë. Njeriu qëndron në majën e hierarkisë së krijesave, por detyra e tij kryesore është ruajtja e jetës dhe përmirësimi i saj në formën më të plotë të mundshme. Ndonëse njeriu mund të arrijë një lloj sundimi absolut në botë, nëse ai bazohet në padrejtësi, ai nuk përfaqëson qytetërim por shkatërrim.
Një tjetër ide thelbësore në mendimin e Ibn Haldunit është domosdoshmëria e “drejtimit” (el-vixh’he) një qëllim ose orientim që i jep kuptim dhe drejtim qytetërimit. Sa më shumë që njeriu ta orientojë këtë drejtim kah e vërteta, aq më i përkryer bëhet qytetërimi njerëzor.
Ibn Halduni ndan qytetërimin në disa shkallë: ai fillon me qytetërimin nomad (fillestar, i nevojave bazë) dhe përfundon me qytetërimin civilizues (i përkryer, i plotësuar). Kalimi nga një shkallë në tjetrën ndodh vetëm nëse ekziston një qëllim i qartë që nxit lëvizjen dhe zhvillimin e njeriut.
Ai vëren se stili i jetës ndikon në fatin e popujve. Ndryshimet midis brezave burojnë nga mënyra e tyre e jetesës; bujqit që jetojnë nëpër fshatra dhe male kanë një mënyrë të qëndrueshme jetese, barinjtë që enden me kopetë e tyre kanë një jetë lëvizëse, ndërsa arabët që jetojnë nga devetë janë më të nomadë dhe më të mbyllur në vetvete. Kështu, qytetërimi, sipas Ibn Haldunit, është një koncept dinamik, që lidhet me mënyrën se si një komunitet jeton, lëviz dhe zhvillohet në tokë.
Ibn Halduni thekson rolin e “asabijes” (unitetit shoqëror), që është forca që bën të mundur bashkimin e njerëzve dhe që në vijim mundëson ndërtimin e qytetërimit.
Sipas tij, renditja është kjo:
“Asabije” (unitet shoqëror) → “Ixhtima” (Bashkim shoqëror) → “Umran” (Qytetërim).
Përgatiti: Behar Kaceli



