“Fiqhu i qytetarisë” (fiqh al-muuatanah) është një nga tezat më interesante dhe më të rrezikshme të Tarik Ramadanit – dhe po e përmendim meqënëse është rishfaqur në media këto ditë.
Sipas tij, “Fiqhu i qytetarisë” nënkupton një kontratë morale dhe shoqërore, në të cilën muslimanët pritet të jenë qytetarë aktivë dhe pjesëmarrës në vendet e tyre përkatëse, duke u angazhuar në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike për të promovuar drejtësi dhe solidaritet.
Kjo qasje, sipas tij, thekson një kuptim gjithëpërfshirës të qytetarisë që tejkalon konceptet e vjetruara si dar el-ḥarb, apo edhe konceptin e vjetër të dhimmas (statusi i pakicave). Ai promovoi idenë se muslimanët duhet të jenë qytetarë lojalë, duke ruajtur njëkohësisht vlerat e tyre fetare.
Problemi më këtë tezë, në mendimin tim, është sepse sugjeron që statusi si minoritet i muslimanëve në Perëndim është superuar, duke qenë se muslimanët gëzojnë të drejta ligjore të njëjta me qytetarët e tjerë të vendit. Por gjithnjë e më tepër faktet tregojnë se mbrojtja ligjore nuk mjafton për të realizuar barazinë. Ka dimensione të rëndësihme strukturore dhe kulturore që tejkalojnë ligjin.Kush nuk e ka kuptuar kaq gjë ose është naiv, ose është ideologjikisht i verbër. Muslimanët mund të jenë qytetarë si individë, por do jenë minoritarë në Perëndim në aspektin komunitar.
Ka një diskordancë serioze në idealin liberal të qytetarisë si kontratë me individin dhe përkatësisë të ngulitur në rrënjët e gjeneratave paraprirëse. Kjo, në fakt, nuk është as e habitshme. Muslimanët, duan apo nuk duan, do duhet të përmbushin të gjitha obligimet për të cilat flet Ramadan, por nuk do gëzojnë të gjitha të drejtat.
Është koha të kuptojmë vërtetësinë e këtij realiteti dhe teksa falenderojmë rendin liberal me mirësjellje për premtimet e mrekullueshme, nuk ka asnjë arsye që t’i besojmë me të vërtetë e as të qaravitemi kur e kundërta na bëhet përditë e qartë.
Besimtari synon të jetojë me dinjitet dhe qarjen e halleve e ka me Krijuesin, jo me krijesat. Zoti në Kuran premton se i “ka blerë” jetët e besimtarëve me xhenet, jo me premtimin për të drejta të barabarta në rendin liberal perëndimor, i cili përditë tregon mungesë stabiliteti. Këtë, meqë ra fjala, eventualisht duhet ta kuptojnë edhe të konvertuarit. Ata do fitojnë nëpërmjet konvertimit në aspektin shpirtëror, por do ketë ca humbje në statusin shoqëror.



