Britania ka sanksionuar ato që i ka quajtur banda kriminale nga Ballkani Perëndimor, përfshirë një në Kosovë, të cilat dyshohet se kishin falsifikuar dokumente, që ishin përdorur më pas për trafikimin e njerëzve. Autoritetet e drejtësisë në Kosovë thanë se janë duke e trajtuar këtë rast “me prioritet”. Sipas njoftimit të Qeverisë britanike, me ndihmën e autoriteteve kosovare është sanksionuar “Rrjeti Krasniqi”, që përshkruhet si një bandë kriminale me seli në Kosovë, që kishte udhëhequr një laborator të sofistikuar për prodhimin e dokumenteve false.
“Ka një rrugë kriminale përmes Ballkanit Perëndimor që sjellë migrantët ilegal në Mbretërinë e Bashkuar dhe ne jemi të vendosur që ta mbyllim atë duke punuar me partnerët evropianë”, tha kryeministri britanik, Keir Starmer, përmes një deklarate para samitit të Procesit të Berlinit që ka mbledhur udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Temë e samitit pritet të jenë edhe përpjekjet për të ulur migrimin ilegal, por edhe siguria rajonale dhe kërcënimet e tjera të përbashkëta.
Mbretëria e Bashkuar po ashtu ka sanksionuar Nusret Seferoviq, që e cilësoi si udhëheqës të një bande kroate, që kishte furnizuar bandat në Ballkan me pasaporta të falsifikuara kroate. Dy persona të tjerë dhe një kompani tregtare u sanksionuan për pjesëmarrjen e tyre në një rrjet që transferonte para dhe blinte pjesë të anijeve të vogla, të përdorura nga bandat për të lehtësuar migrimin e paligjshëm, u tha në njoftimin e Qeverisë britanike. Britania tha se këto sanksione janë hapi i fundit në luftimin e rrjeteve kriminale që kanë rritur migrimin ilegal në këtë shtet. Këto veprime, tha Qeveria britanike, kanë ndihmuar që të ulet numri i migrantëve nga Ballkani Perëndimor nga 140.000 më 2022 në 21.000 vitin e kaluar.
Kosova thotë se po e trajton me prioritet këtë rast
Pas njoftimit për sanksione nga Britania, Prokuroria Speciale e Kosovës tha se është duke e trajtuar rastin me prioritet dhe mirëpriti vendimin e Londrës. “Prokuroria Speciale do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar dhe me të gjitha vendet partnere, duke mbetur një aktore konstruktive dhe e besueshëm në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, si dhe në promovimin e sigurisë dhe drejtësisë në rajon dhe më gjerë”, u tha në reagimin e organit ndjekës. Në janar të këtij viti, Policia e Kosovës kishte njoftuar se kishte zbuluar se një shtëpi në Prishtinë kishte shërbyer si një laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, përfshirë pasaporta, letërnjoftime dhe patentë-shoferë.
Zbulimi i kësaj shtëpie ishte bërë pasi më 24 janar, Policia e kishte ndaluar një automjet ku kishte gjetur dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës. “Shoferi me inicialet F.K, është arrestuar dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh”, ishte thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës. Autoritetet deklaruan se në shtëpinë, ku gjendej laboratori, kishte sekuestruar makina laserike, printerë, mbi 20.000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës.
Ndërkaq, më 12 tetor me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës ishte ndaluar V.E. nën dyshimet për veprat penale: falsifikim i dokumenteve dhe pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal. Sipas Prokurorisë, ai u arrestua në pikën kufitare në Bërnjak – që lidh Kosovën me Serbinë – në kuadër të hetimeve lidhur me rastin e muajit janar të këtij viti, kur autoritetet zbuluan një labortaor të specializuar për falsifikim të dokumenteve. “Ekziston dyshimi i bazuar se, nga një periudhë e pacaktuar kohore e deri më 24 janar të vitit 2025, V.E., në bashkëpunim edhe me të dyshuar të tjerë, duke vepruar si grup i organizuar kanë prodhuar dhe shpërndarë dokumenteve të falsifikuara të rreth 50 shteteve të botës”, u tha në njoftimin e 12 tetorit.



