Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar Izraelin lidhur me veprimet për aneksimin e Bregut të uzurpuar Perëndimor, duke thënë se hapat e ndërmarrë nga Parlamenti izraelit dhe dhuna e kolonëve po e rrezikojnë marrëveshjen e paqes për Rripin e Gazës.

Ligjvënësit izraelitë votuan të mërkurën për t’i çuar përpara dy projektligje që synojnë aneksimin e Bregut Perëndimor, vetëm një javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e ndërmjetësoi një marrëveshje që synon t’i japë fund luftës dyvjeçare izraelite në Rripin e Gazës.

“Mendoj se presidenti e ka bërë të qartë se kjo nuk është diçka që mund ta mbështesim tani për tani”, tha Rubio, i cili nisi të mërkurën një vizitë në Izrael.

Lëvizjet për aneksim “janë kërcënuese për marrëveshjen e paqes”, u tha ai gazetarëve.

“Ata janë demokraci, ata do të votojnë dhe njerëzit do të marrin qëndrime. Por, në këtë kohë, është diçka që ne… mendojmë se mund të jetë kundërproduktive”, tha Rubio.

I pyetur për dhunën në rritje të kolonëve ekstremistë izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, Rubio u përgjigj: “Jemi të shqetësuar për gjithçka që mund ta destabilizojë atë për të cilën kemi punuar”.

Megjithatë, Sekretari i Shtetit shprehu optimizëm të përgjithshëm për ruajtjen e marrëveshjes së paqes.

“Çdo ditë do të ketë kërcënime ndaj saj, por, në fakt, mendoj se jemi para afatit sa i përket zbatimit të marrëveshjes, dhe fakti që e kaluam këtë fundjavë është një shenjë e mirë”.

Bregu Perëndimor është ndër tokat që Izraeli i pushtoi në luftën e Lindjes së Mesme në vitin 1967, dhe ku palestinezët, me mbështetje ndërkombëtare, kërkojnë ta krijojnë shtetin e vet.

Rreth 700.000 kolonë izraelitë jetojnë mes 2.7 milionë palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, të cilin Izraeli e aneksoi në një veprim që nuk njihet nga shumica e vendeve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re