Grabitja spektakolare në “Louvre”/ Dritarja nga hynë autorët kthehet në atraksion turistik

Në Paris, pas vjedhjes spektakolare që ndodhi në fundjavë në Muzeun e Louvre-it, turistët nuk janë më të mahnitur vetëm nga “Mona Lisa” apo “Venusi” i Milo-s, por edhe nga një dritare e thjeshtë.

Është pikërisht ajo nga ku grabitësit hynë për të vjedhur disa nga bizhuteritë më të çmuara të perandorëve francezë.

Të mërkurën në mëngjes, muzeu ka rihapur dyert për publikun, ndërsa dritarja është kthyer në një “pikë ndalese” për vizitorët që duan të shohin vendin e krimit.

Si ndodhi grabitja

Sipas hetimeve paraprake, dy nga autorët ishin veshur si punëtorë mirëmbajtjeje, me jelekë reflektues dhe pajisje profesionale. Ata përdorën një shkallë teleskopike dhe një ashensor për mobilie për të arritur deri te dritarja e përzgjedhur, një nga qindra që ndodhen në godinën e madhe të muzeut.

Brenda, me prerës metali, ata thyen dy vitrina të xhamta dhe morën tetë objekte të rralla historike.

Një dëshmitar tha për mediat: “Kanë zgjedhur dritaren e duhur dhe e kanë bërë me një saktësi kirurgjikale. Janë profesionistë, jo amatorë.”

Dritarja që po tërheq turmat

Në orët pas rihapjes së muzeut, turma turistësh u mblodhën përpara ndërtesës për të parë vendin e grabitjes.

Dritarja, e mbuluar me një material të zi mbrojtës, është kthyer në një “mini atraksion”.

E pabesueshme,” tha një turist holandez.

Nëse do ta shihje në një film, do mendoje se është e sajuar.”

Masat e sigurisë dhe hetimet

Ekspertët thonë se është thuajse e pamundur të mbrosh plotësisht një ndërtesë kaq të madhe, që mirëpret mbi 9 milionë vizitorë në vit.

Nuk mund ta blindosh si një bankë,” komentoi një ish-drejtor sigurie muzeale për mediat franceze.

Muzeu Louvre ka njoftuar se do të bëjë një rishikim të plotë të protokolleve të sigurisë, ndërsa policia franceze vazhdon hetimet për të identifikuar grabitësit dhe për të gjetur sendet e vjedhura, që kanë një vlerë të pallogaritshme historike dhe kulturore.

Të dielën, katër persona arritën të hynin në Galerinë Apollo dhe të grabisnin bizhuteri me vlerë të vlerësuar rreth 88 milionë euro – përfshirë një varëse smeraldi dhe diamanti që Napoleoni ia kishte dhënë bashkëshortes së tij, Maria Luiza, si dhe një diademë me diamante që i përkiste perandoreshës Eugénie.