Skip to content

Meta mbetet në burg/ Apeli rrëzon kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë

TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit, rrëzoi të enjten kërkesën e Ilir Metës, për revokimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi “arrestin me burg” për ish-Presidentin.

Pavarësisht pretendimeve të avokatit të Ilir Metës, për revokimin e masës së sigurisë, gjyqtare Saida Dollani vendosi të mos pranojë këtë kërkesë. Një ditë më parë, edhe shkalla e parë e Gjykatës së Posaçme rrëzoi kërkesën tjetër të Metës për ndryshimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi “arrestin me burg”.

Meta ndodhet në burg që prej tetorit të vitit 2024, i akuzuar për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe pasuritë e padeklaruara. Dosja u dërgua për gjykim në fund të gushtit nga SPAK.