Skip to content

“Një thirrje për veprim”: Nis në Stamboll seanca historike e Tribunalit të Gazës për gjenocidin

Nga Zeynep Conkar | TRT World

Tribunali i Gazës, një gjykatë e pavarur popullore e dedikuar për t’i dhënë fund gjenocidit në Gaza dhe për të çuar përpara të drejtën palestineze për vetëvendosje, nisi sot seancën e tij historike në Sallën e Konferencave “Cemil Birsel” në Universitetin e Stambollit.

Aktiviteti katërditor (23-26 tetor) bën bashkë akademikë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët do të paraqesin prova, dëshmi dhe vlerësime ligjore mbi krimet e luftës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Gaza.

I kryesuar nga ish-Raportuesi Special i OKB-së për Palestinën, Profesor Richard Falk, Tribunali shënon herën e parë që gjenocidi në Gaza po gjykohet publikisht në “gjykatën e ndërgjegjes globale” përmes një nisme kolektive qytetare.

“Tribunali i Gazës duhet parë si një nga instrumentet për t’u ofruar njerëzve një pasqyrë të vërtetë të ngjarjeve të tmerrshme që po ndodhin në Gaza gjatë dy viteve të fundit,” tha Falk në fjalën e tij hapëse.

“Ky është një akt rezistence, një thirrje për veprim në emër të drejtësisë dhe paqes së qëndrueshme, e rrënjosur në pjesëmarrjen palestineze, e cila është mohuar prej kohësh.”

Gjatë katër ditëve të ardhshme, juria – e përbërë nga autoritete të shquara ligjore dhe morale, përfshirë autoren dhe anëtaren e familjes mbretërore osmane Kenize Mourad, akademiken palestineze Ghada Karmi dhe profesoreshën e së drejtës ndërkombëtare Christine Chinkin – do të dëgjojë dëshmitë e të mbijetuarve, mjekëve, gazetarëve dhe studiuesve.

Paneli do të shpallë vendimin përfundimtar më 26 tetor, pasuar nga publikimi i një raporti të plotë që dokumenton gjetjet e Tribunalit.

Falk, i cili shërbeu si Raportues Special i OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret e pushtuara palestineze mes viteve 2008 dhe 2014, e përshkroi Tribunalin si një formë “rezistence shoqërore ndaj propagandës shtetërore dhe anshmërisë mediatike”, të cilat e kanë shtrembëruar prej kohësh realitetin në Gaza.

Ai vë në dukje standardet e dyfishta në raportimin global, duke krahasuar vëmendjen ndërkombëtare për pengjet izraelite me heshtjen thuajse të plotë për lirimin e mbi 1,900 të ndaluarve palestinezë, shumica e të cilëve ishin “burgosur arbitrarisht dhe të keqtrajtuar rëndë”.

Falk përgëzoi gjithashtu përpjekjet e fundit të OKB-së, përfshirë punën e Komisionit Hetimor për Gazën dhe raportet e paraqitura nga Francesca Albanese, Raportuesja aktuale Speciale e OKB-së për Palestinën, e cila është përballur me kundërshtime të ashpra politike për shkak të dokumentimit të krimeve izraelite.

“Pavarësisht se u përball me ngacmime dhe shpifje, Francesca Albanese ia doli ta çojë të vërtetën te publiku i gjerë, për të kundërshtuar gënjeshtrat zyrtare dhe propagandën,” thotë Falk. Ai shtoi se asaj madje i ishte ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara për të paraqitur gjetjet e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Falk nënvizoi gjithashtu se përtej dokumentimit të krimeve, Tribunali luan një rol vendimtar në atë që ai e quajti “lufta e legjitimitetit” – një betejë për narrativat morale dhe ligjore që rrethojnë konfliktin.

“Konsensusi gradual se Izraeli është kthyer në një shtet ‘paria’ (të papranueshëm) ose një shtet ‘problem’ (rogue state), është dëshmi e qartë se palestinezët po e fitojnë, ose tashmë e kanë fituar, luftën e legjitimitetit.”

“Historia tregon se pala që fiton këtë betejë morale shpesh përcakton edhe rezultatin politik, pavarësisht vuajtjeve të tmerrshme që ka hequr,” shpjegoi Falk.

Ndërsa punimet vazhdojnë në Stamboll, pjesëmarrësit e përshkruajnë Tribunalin si një akt historik të ndërgjegjes kolektive; një akt që kërkon të demaskojë realitetin e gjenocidit në Gaza dhe të mobilizojë solidaritetin global.

“Kushtet aktuale në Gaza dhe në Bregun Perëndimor (të pushtuar) kërkojnë më shumë se fjalë apo politika simbolike,” thotë Falk. “Ato kërkojnë veprim dhe përkushtim. Tani është koha të këmbëngulim për llogaridhënien e Izraelit për ‘krimin e krimeve’.”

Vendimi përfundimtar i Tribunalit – simbolik dhe jo i detyrueshëm nga ana ligjore – synon të ofrojë një regjistër moral dhe historik të gjenocidit izraelit kundër palestinezëve, i cili ka vrarë më shumë se 68,000 njerëz dhe ka shkretuar enklavën palestineze. /tesheshi.com/