Komisioni i ri i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, do të përfshijë të gjitha partitë parlamentare.
Pas dakordësimit të mazhorancës dhe opozitës për të pasur barazi votash në komision, vend i është bërë dhe dy partive, ‘Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt dhe ‘Lëvizja Bashkë’ e Arlind Qorit.
Sipas dokumentit të fundit zyrtar, të dakordësuar mes palëve, bëhet me dije se këto dy parti, të cilat përfaqësohen në Kuvend vetëm me nga 1 deputet, mund të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit, të japin propozimet e tyre por nuk do të kenë të drejtë vote.
Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të ketë 16 anëtarë, 7 nga Partia Demokratike (përfshirë këtu 1 PL dhe 1 PR), dhe 7 nga Partia Socialiste. Dy partitë e mëdha, i kanë bërë vend dhe partive të vogla. Rrjedhimisht për të ruajtur barazinë e votave, PD i ka dhënë 1 karrige deputetit Agron Shehaj ndërsa PS deputeti të PSD-së së Tom Doshit.
Komisioni i posaçëm parlamentar me 16 anëtarë, 8+8, mes tyre dy bashkëkryetarët me të drejtë vetoje, pritet të ngrihet në seancën plenare në Kuvend më 30 tetor me një afat pune, 9 muaj.
Siç mëson Fax News, bashkëkryetar nga mazhoranca do të jetë Damian Gjiknuri ndërsa nuk është bërë ende i ditur emri nga Opozita.
Palët kanë ftuar OSBE, BE dhe SHBA të asistojnë procesin teksa Komisioni për Reformën Zgjedhore do të hartojë edhe ligjin e ri për financimin e partive politike.