Projekti i ri i ARRSH, Balluku inspekton punimet për Mirëmbajtjen Estetike të akseve rrugore

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar punimet për projektin e ri të ARRSH për Mirëmbajtjen Estetike të akseve rrugore.

Gjatë inspektimit, Balluku u shpreh ndër të tjera se, Shqipëria është kthyer tashmë në një pikë të rëndësishme turistike dhe për këtë arsye ARRSH ka futur në fushën e saj të përgjegjësisë edhe mirëmbajtjen estetike të akseve kombëtare.

“Sot jemi duke inspektuar komplet një proces të ri që ARRSH ka nisur. Duke qenë se ne kemi prej kohësh kontratat e mirëmbajtjes me performancë, siç quhen, dhe bëhen të ndara sipas rajoneve për të mirëmbajtur të gjitha ato akse rrugore, të cilat mbarojnë kohën e garancisë, kemi vënë re që tashmë, duke u shtuar kilometrat e akseve kombëtare, Shqipëria është kthyer në një pikë të madhe turistike, ku vijnë vizitorë nga e gjithë bota. Për këtë arsye, ARRSH ka futur në fushën e saj të përgjegjësisë edhe mirëmbajtjen estetike të akseve kombëtare”, tha ndër të tjera Balluku.

Ministrja u ndal edhe tek pastrimi i akseve rrugore duke u shprehur:

“Drejtuesit shqiptar të automjeteve sillen më mirë se kushdo drejtues tjetër. Por ne kemi edhe shumë makina me qera gjatë periudhës së verës, megjithëse turizmi në vendin tonë është kthyer në katër stinësh. Kështu që edhe pjesa e pastrimit është pjesë e mirëmbajtjes estetike, apo jo? Kështu që kemi zgjidhur edhe një problematikë tjetër.”

Ndërkohë sipas drejtuesve të ARRSH-së, çdo rajon ka 25 punonjës sa i përket mirëmbajtjes estetike. Ndërsa në rang kombëtar janë 120 punonjës.