Një operacion i koordinuar nga Interpol Tirana dhe Interpol Manchester ka çuar në arrestimin e shtetasit shqiptar, Xhuljano Hoxha, i cili kërkohej nga autoritetet shqiptare për lidhje me një grup kriminal të përfshirë në trafikimin e narkotikëve.
30-vjeçari është kapur në Mbretërinë e Bashkuar dhe është arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, ku ai do t’i përgjigjet akuzave të ngritura ndaj tij nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Hoxha u bë i njohur për autoritetet shqiptare si një nga anëtarët e grupit kriminal të cilët operonin në fushën e narkotikëve. Gjatë këtij operacioni, policia shqiptare sekuestroi një sasi të madhe lënde narkotike, konkretisht 870 kilogramë Cannabis Sativa, të cilat u gjetën të kultivuara në sera në fshatin Drenovicë, në zonën e Beratit.
Sera në fshatin Drenovicë u zbulua gjatë një operacioni më 10 nëntor 2022. Në atë kohë u ndaluan 105 persona, ku 95 ndër to ishin gra të cilat ishin punësuar për të pastruar lëndën narkotike. Sera ishte në pronësi të Hamdi Dylit, e cila ishte ndarë në 4 pjesë, secila me një sipërfaqe prej 2 dynym. 11 persona u vunë në pranga, ndërsa nën hetim u vunë edhe 57 efektivë të DVP Berat, mes tyre edhe drejtues të lartë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë në atë kohë, Muhamet Rrumbullaku përjashtoi përjetësisht nga Policia e Shtetit 7 punonjës policie, të rangut të lartë drejtues. Prokuroria e Beratit shpalli moskompetencë dhe ia kaloi dosjen SPAK-ut, pasi prokurorët dolën në konkluzionin se aktiviteti zhvillohej nga 2 grupe kriminale.
95 gratë që ishin nga Fushë-Kruja dhe Lezha ishin mashtruar nga mashtruar nga grupi kriminal se do të vilnin ullinj. Por kur panë se kishin të bënin me pastrimin e lëndës narkotike, u kërcënuan se do t’u vrisnin familjarët.
Në datën 22 prill 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Xhuljano Hoxhën. Ky i fundit ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa arrestimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tirana dhe Interpol Manchester.
Pas arrestimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar, autoritetet shqiptare janë angazhuar në procedurat për ekstradimin e Xhuljano Hoxhës, i cili pritet të përballet me akuzat e ngritura nga prokuroria shqiptare.
