Miliarderët Richard dhe gruaja e tij, Nancy Kinder nga Houston, SHBA, njoftuan se do të dhurojnë 95% të pasurisë së tyre, që arrin në rreth 11 miliardë dollarë, për bamirësi, duke ndjekur shembullin e donatorëve kryesorë, përfshirë MacKenzie Scott, Warren Buffett dhe Bill dhe Melinda Gates.
Kinderët i thanë ABC13 të Houstonit se kanë ndërmend të japin pjesën më të madhe të pasurisë së tyre për fondacione dhe organizata lokale, duke mbajtur rreth 550 milionë dollarë për pasardhësit e tyre. “Ne duam që nipërit dhe mbesat tona të jenë krenarë për ne dhe të dinë se presim që ata të vazhdojnë atë që filluam”, tha Nancy Kinder.
Rich Kinder është bashkëthemelues dhe kryetar ekzekutiv i Kinder Morgan, një nga kompanitë më të mëdha të infrastrukturës energjetike në Amerikën e Veriut, me më shumë se 30,000 milje tubacione dhe një kapitalizim tregu prej 66 miliardë dollarësh. Kompania renditet e 193-ta në listën Fortune 500 për vitin 2025.
Sipas Fortune, Nancy Kinder është presidente dhe CEO e Fondacionit Kinder, i cili u themelua në vitin 1997. Fondacioni ka dhënë më shumë se 700 milionë dollarë për projekte që përqendrohen në planifikimin urban, arsimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në Houston.
Kinderët ishin mbështetës të hershëm të The Giving Pledge, një iniciativë e nisur në vitin 2010 nga Bill Gates, Melinda Gates dhe Warren Buffett që inkurajon njerëzit më të pasur në botë të japin të paktën gjysmën e pasurisë së tyre për bamirësi. Që nga themelimi i tij, Fondacioni Kinder ka dhënë më shumë se 890 milionë dollarë.
Edhe pse qindra miliarderë kanë nënshkruar “Premtimin e Dhënies”, Instituti për Studime Politike thekson se pasuria po grumbullohet ende më shpejt sesa po shpërndahet. /tesheshi.com/



