“S’ka më të shpifur”, Berisha i ashpër me Dumanin: Avokat i vjedhjeve të mëdha

Pas largimit nga Parlamenti i kreut të SPAK, Altin Dumani, fjalën në seancë plenare e mori kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Gjatë fjalës së tij, lideri i Opozitës u shfaq shumë i ashpër duke u shprehur se, kreu i Prokurorisë së Posaçme po bën rolin e avokatit të mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama përballë vjedhjeve të mëdha që i janë bërë vendit.

“Ishte një rast unik në jetën tuaj, e të gjithëve, se si panë grupin e mëkatarëve të strukur, të përulur gjer në dhe, se si e panë avokatinë e shpifur që iu bë këtu një sistemi i cili po penalizon më shumë se cilindo tjetër qytetarin më të thjeshtë. Ju, avokatët e Dumanit, të kapurit peng të Edi Ramës, nuk duhet të harroni se për qytetarët shqiptarë, që vetëm me CEZ kanë humbur miliona euro fatura të certifikuara për shkak të pazareve që Rama ka bërë me CEZ, ndërkohë që auditi ndërkombëtar i thoshte ‘mos bëj marrëveshje, sepse qeveria shqiptare është në pozitën e fituesit’, por këto i mbulon Dumani dhe dumanët.

Ai është qytetari shqiptar që pagoi, sa qimet e kokës, 400 milionë euro për inceneratorët që s’kanë as nam e nishan sot. Ai thotë: ‘janë nën hetim paraprak’. S’ka më të shpifur! Çfarë hetimi paraprak, mor? Një mashtrues ordiner që del këtu dhe përpiqet të mbrojë nga flakët e djegësve Edi Ramën, kryearkitektin e këtyre. E dini kush është dënuar për inceneratorin e Tiranës? Është dënuar Arben Ahmetaj, që e ka kundërshtuar pesë herë, për shkak se iu gjetën pllakat e banjës! A e dini ju, qytetarë, se të marra bashkë këto bëjnë 1 miliardë euro?

Bashkë këto përbëjnë dyfishin e rrogave. Nuk i ka vjedhur Altin Dumani këto, por Altin Dumani është bërë avokat i vjedhjeve më të mëdha në historinë e këtij vendi”, tha ndër të tjera Berisha.