SPAK raportoi ndër të tjera në Kuvend se po rikthen toka të grabitura te shteti, por në vend të mirënjohjes, në Kuvend u dëgjua ulërima e atyre që kanë patur për detyrë t’i mbronin
Në raportimin e fundit në Kuvend, kreu i SPAK-ut ngriti alarmin për një nga dramat më të mëdha të tranzicionit shqiptar: vjedhjen sistematike të tokave publike. Është një plagë e hapur që ka përpirë prona, ndërgjegje dhe jetë njerëzish.
Hipotekat janë shndërruar në vegla të grabitjes, siç dëshmon rasti i fundit i zbuluar nga hetimet e SPAK me pronat në Durrës. Vetëm ky do ishte i mjaftueshëm për të kuptuar përmasat e krimit. Janë falsifikuar dokumente, janë zhdukur kufij, janë sajuar emra.
Një histori që të lë pa fjalë dhe që tregon qartë se çfarë është lejuar të ndodhë në zyrat e shtetit ndër vite.
Ata që janë në atë Kuvend që dje ulërinte, apo të emëruarit prej tyre kanë patur dhe kanë detyrën ta ruanin e ta ruajnë pasurinë publike. Nuk bënë asgjë. Madje shpesh i lejuan, i firmosën, i shitën. Për të ardhur keq që nuk dëgjuam asnjë deputet tjetër të ndalej te kjo pjesë e rëndësishme e fjalimit të kreut të SPAK. Të mos ndalet shteti kur flitet për rikthimin e pasurisë së përbashkët te shteti, do të thotë të pranosh, me heshtje se je në krah të hajdutëve.
Skemat që kanë zhdukur pronat publike nga hartat e shtetit, nuk janë thjesht shifra. Dumani po lexonte dje historinë e turpit të tranzicionit.
SPAK ka thyer përfundimisht mitin e pandëshkueshmërisë politike, një arritje historike dhe një fitore morale e Reformës në Drejtësi. Për herë të parë pas dekadash, figura të larta të pushtetit janë vënë nën hetim apo në pranga, duke rikthyer një ndjenjë shprese te publiku se askush nuk është mbi ligjin.
Po ashtu, rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës janë të padiskutueshme: dhjetëra të inkriminuar janë çuar pas hekurave, rrjete kriminale janë goditur dhe prona të përfituara nga aktiviteti kriminal janë sekuestruar. Drejtuesi i këtij segmenti të spikatur të SPAK, prokurori i posaçëm Adnan Xholi, është një nga kandidatët për kreun e ri të SPAK.
Kjo është premtuese për ata që duan një institucion që e ruan integritetin e Dumanit dhe që nuk gjunjëzohet te bandat dhe krimi i organizuar, siç ka ndodhur për turp me institucionet e mëparshme të hetimit apo me policinë e shtetit, këto tri dekada.
Por mbetet njëherazi e vërtetë që, mosndëshkimi i Sali Berishës për çështje të rënda si 21 Janari apo Gërdeci është një njollë e zezë që i errëson këto arritje.
Drejtësia e vërtetë duhet të përballet edhe me trashëgimitë më të errëta të së shkuarës, sidomos kur ato kanë sjellë viktima dhe kanë cenuar themelet e shtetit. Deri atëherë, suksesi i SPAK do të mbetet i paplotë. /DITA/



