Ditën e premte, 31 tetor, do të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese seancën e ankimimit të Erion Veliajt mbi vendimin e qeverisë për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës.
Kushtetuesja ka kërkuar praninë e Veliajt në seancë, kërkesë që është pranuar, ndaj ka njoftuar për marrjen e masave Drejtorinë e Burgjeve dhe SPAK.
“Gjykata Kushtetuese, bazuar në nenet 21, pika 1 dhe 38, pikat 1 dhe 2 të ligjit nr. 8577, të ndryshuar, me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 09.10.2025, ka njoftuar kërkuesin Erion Veliaj për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike në 31.10.2025.
Gjithashtu, ju informojmë se Gjykata Kushtetuese me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 13.10.2025, ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve duke e vënë në dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe marrjen e masave për shoqërimin e zotit Erion Veliaj në seancën plenare publike në rast se do të shprehej vullneti për marrjen pjesë personalisht në gjykim.
Në vijim, në datën 20.10.2025, pas shprehjes së vullnetit të kërkuesit, Gjykata ka njoftuar edhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me sa më sipër”, njofton Gjykata Kushtetuese.
Erion Veliaj ankimoi në Kushtetuese shkarkimin e tij më 25 shtator nga qeveria, pas propozimit nga Këshilli Bashkiak.
Më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, por ky dekret u pezullua me vendim të ndërmjetëm nga gjykata Kushtetuese deri në shprehjen përfundimtare për shkarkimin e Veliajt.
