Vrau me mjet prerës (thikë), shtetasin Indrit Ismaillari , në ambientet e lokalit në Komunën e Parisit, ku punonin të dy, arrestohet në flagrancë autori, i cili u kap nga shërbimet e Policisë, menjëherë pas krimit.
I arrestuari, i dënuar më parë për posedim të armëve të ftohta.
Gjendet dhe sekuestrohet mjeti prerës (thikë), me të cilin dyshohet se u krye krimi.
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme, në Komunën e Parisit, ku shtetasi Filip Shehu dyshohet se vrau me mjet prerës (thikë), shtetasin Indrit Ismaillari, 36 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në ambientet e lokalit ku punonin të dy, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit e Policisë Nr. 2 dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Filip Shehu, 41 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjithashtu, gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, mjetin prerës (thikë), me të cilin dyshohet se shtetasi Filip Shehu kreu vrasjen.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi Filip Shehu i cili u kap menjëherë pas krimit, ishte i dënuar më parë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
